Në ditën e parë të vitit, Ministrja e Shëndetësisë vizitoi stafet mjekësore dhe të porsalindurit në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” për të uruar një fillim të mbarë e të shëndetshëm të vitit 2021.

“Pikësëpari jam e kënaqur që ja dolëm në një vit të vështirë. Dhe lajmi që sot Kryeministri dha për marrëveshjen me Pfizer-in për fillimin e vaksinimit duke filluar me personelin mjekësor, është një lajm me të vërtetë fantastik”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me personelin mjekësor, Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë për fillimin e punimeve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë.

“Lajmi tjetër i bukur për këtë maternitet është pikërisht fillimi i punimeve për rindërtimin e këtij materniteti, që në fakt është i mbushur me histori njerëzore. Ashtu sikurse dhe është emblema e shtëpive të lindjes që ne kemi në të gjithë Shqipërinë”, tha Manastirliu.

Gjatë bisedës me stafin mjekësor, Manastirliu ka rikonfirmuar lajmin për rritjen e pagave të gjithë personelit mjekësor me 40%, duke filluar nga ky muaj.

“Duke filluar nga ky muaj, pagat për personelin shëndetësor në të gjithë sistemin tonë, për të gjithë pa dallim, rriten me 40%”, tha Manastirliu. Në ditën e parë të vitit, 9 bebe erdhën në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe 5 bebe lindën në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku këtë vit dominuan vajzat. Më herët Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë i dorëzuan nënave në maternitetin “Koço Gliozheni” çekun e bebes dhe si çdo vit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka vizituar edhe maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në ditën e parë të vitit.