Futbollisti kroat, Mario Mandzukic sot u zyrtarizua si futbollisti më i ri i Milanit, pasi kishte një kohë të gjatë pa ekip. Milan është në krye të Serie A pas 18 ndeshjeve dhe Mandzukic është bashkuar për të ndihmuar në lehtësimin e ngarkesës në sulm, me Zlatan Ibrahimovic që u kthye në formacionin startues për herë të parë që nga nëntori.
Ish-sulmuesit të Juventusit i është dhënë fanella me numër 9 dhe pret me padurim ta veshë fanellën ikonike të Milanit. “Unë jam mirënjohës për udhëheqjen e Milanit për mundësinë për t’u bashkuar me këtë klub të shkëlqyeshëm. Do të jetë një nder i vërtetë të veshësh këtë fanellë ikonike dhe të luftosh për Rossonerët. Mund të premtoj vetëm se do të jap përpjekjen time më të mirë në çdo ndeshje dhe do të përpiqem ta ndihmoj ekipin në çdo mënyrë që mundem” – u shpreh Mandzukic në një postim në Twitter.
Mbetet të shihet se cili do të jetë impakti i tij në “San Siro”, teksa klubi italian po kalon nëpër një formë të jashtëzakonshme.