Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshime në vendimin për orarin e restoranteve dhe objekteve të tjera hotelierike. Sipas vendimit të njoftuar nga shërbimi për shtyp i qeverisë, nga 21 janari anulohet vendimi për të kufizuar orët e punës së restoranteve dhe objekteve të tjera hotelerike që deri më tani ishte deri në orën 18:00. “Me vendimin nga seanca e sotme kthehen orët e punës së këtyre objekteve të përcaktuara me vendimin e mëparshëm, pra do të mund të punojnë deri në orën 21:00, me përjashtim të restoranteve dhe objekteve të tjera hotelierike në aeroporte, stacione karburanti dhe hotele të cilat nga 21 janari do të mund të punojnë me kohë të plotë sipas ligjit”, tha qeveria në njoftim.
Po ashtu edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, informoi për këtë vendim në rrjetet sociale. “Javën e ardhshme, pas analizave të situatës epidemiologjike në vend, është e mundur që masat të relaksohen edhe më tej, përkatësisht orari i punës i ambienteve hotelerike do të jetë deri në orën 23:00”, shkroi Filipçe. Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend është 89.392, ndërsa numri i vdekjeve është 2.726.