Pas mbylljes së fazës së dytë të përzgjedhjes së kandidatëve për platformën “Deputeti që duam”, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla përmes fjalës së tij deklaroi se në zgjedhjet e 25 prillit të majtët duan që fitorja të ndihet anembanë vendit.
Ai gjatë fjalës së tij ka falënderuar çdo person i cili ka kontribuar në realizimin e kësaj akademie e cila është finalizuar me sukses.
Një prej trajnerëve të akademisë tha “Mund te fitosh zgjedhjet vetëm kur ke besimin e komunitetit dhe di të japësh përgjigjet e duhura edhe kur nuk të janë formuluar pyetje”. Sipas Ballës kjo ka qenë edhe arsyeja përse PS-ja është investuar për ngritjen dhe krijimin e kësaj platforme për të përzgjedhur më të mirët në komunitetet tona nga çdo rajon, qytet apo fshat të Shqipërisë.
“Platforma “deputeti që duam’ ishte përgjigja jonë dhe një ftesë për përfshirje të gjithkujt që dëshiron të kontribuojë për vendin e tij.”, shkruan ai. “PS dëshiron të jetë shtëpia e brezit të ri të politikanëve, me anë të të cilëve të fillojmë një epokë të re të Shqipërisë. Një epokë ku të rinjtë do të dëshirojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.”, tha Balla.