Falë investimeve të kryera nga qeveria në teknologji, në ndërtimin e sistemeve të reja që ndërveprojnë me njëra-tjetrën apo në trajnimin e burimeve njerëzore, sot ka ndryshuar rrënjësisht sjellja e shtetit ndaj qytetarëve dhe biznesit. Deri në fund të vitit 2020 u arrit që 95% e shërbimeve të shtetit ndaj qyetarëve apo biznesit të afrohen online. E gjithë kjo punë ka bërë që qytetarët dhe bizneset ta kenë zgjidhjen e parë platformën e-Albania. Vetëm Instituti i sigurimeve shoqërore ofron online 53 shërbime, duek bërë një transformim të madh, po të kemi parasysh që për një dokument duheshin mesatarisht 10 vërtetime nga zyra të tjera. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi sot shembullin e një ish-ushtaraku, i cili aplikoi përmes platformës E Albania për të përfituar pensionin e tij.

“Me 43 vite punë mbi shpatulla, një pjesë edhe në shërbimin ushtarak, Pëllumbi, aplikoi në portalin e-albania. al/ për të përfituar pensionin e tij të pleqërisë, duke shmangur radhët e gjata dhe ecejaket”, tha Denaj. Ndërkohë kalimi i një pjesë të madhe të kontakteve me shtetin online kurseu çerekmilionë orë në marrëdhëniet biznes-shtet në aspektin e radhëve, pritjeve dhe zvarritjeve. Në 4-vjeçarin e ardhshëm qeveria synon që gjithçka të jetë online për biznesin, duke nisur nga marrëdhënia biznes-qeveri, biznes-biznes dhe biznes-konsumator.