Forcimi i repartit të sulmit ishte njëri nga prioritetet e trajnerit të Barcelonës, Ronald Koeman për afatin kalimtar të verës dhe po ashtu edhe tash në janar. Memphis Depay ishte i preferuari i Koemanit, por me performancat e larta të Antoine Griezmann dhe Lionel Messit në vitin 2021, transferimi i holandezit mund të mos realizohet.

Edhe Messi edhe Griezmann e kanë startuar në mënyrë të mirë vitin e ri. Kapiteni i Barcelonës ka shënuar katër gola në dy ndeshjet e fundit, kurse Griezmann realizoi dy herë në ndeshjen e fundit ndaj Granadas në La Liga. Kombinimi dhe përshtatja e mirë e Messit me Griezmannin, e po ashtu edhe me Pedrin mund t’ia pamundësojë ardhjen e Depay në “Camp Nou”.

Edhe financat mund të jenë një problem për klubin e Barcelonës për të afruar lojtarë. Pandemia i ka goditur rëndë dhe klubi ka pësuar humbje qindra milionëshe. Por, mbetet të shihet se cilët do të jenë hapat që do të ndërmirren në këtë afat kalimtar nga klubi blaugran.