Nga Skënder Minxhozi
Koalicioni PS-LSI përfundoi në verën e vitit 2017 me një akt gjigand hipokrizie politike nga të dyja partitë që bëheshin gati të divorcoheshin. Nga njëra anë socialistët zgjidhin me votat e tyre dhe me shumë dëshirë e harè Ilir Metën si President, nga ana tjetër të dyja partitë përgatiteshin të bënin kundër njëra-tjetrës një fushatë të egër akuzash, ndërkohë që në krye të podiumeve qëndronte pikërisht Ilir Meta, me stemën e sapovënë të kryetarit të shtetit, në jakën e xhaketës. Nga ai moment mes PS e LSI ka rrjedhur shumë helm nëpër vena dhe shumë bojë akuzash nëpër gazeta. Zgjedhjet e 25 prillit vetëm sa po e maisin pak më tepër këtë armiqësi të vjetër dhe të thellë. Ashtu siç po e mais konfliktin mes të dy siglave edhe sherri Meta-Rama, që tani ka marrë nota thellësisht personale.
Të dy krerët më të lartë te vendit nuk kanë bërë asgjë që ta zbusin sadopak këtë përplasje, e cila duket sa instiktive, aq edhe e kërkuar. Kryeministri sponsorizoi për muaj të tërë një nismë për ta shkarkuar Presidentin, edhe pse e dinte se kjo nuk do të ndodhte. Përkrahësit e Ramës, të gjithë votues në vitin 2017 në seancën që zgjodhi Ilir Metën kryetar shteti, e kanë sulmuar gjithashtu pa rezerva dhe dorashka Presidentin, në shembullin e shefit të tyre partiak. Ngjan se në këtë dimër të dominuar nga pandemia, mes dy partive të majta (nëse ka ende diçka të majtë brenda tyre), po konsumohet një konflikt i pakthyeshëm, që do të na shoqërojë deri në fund të prillit. Nga ana e tij, edhe Presidenti i vendit nuk mbetur pas. Në rrugën e tij të kundërshtimit dhe të përplasjes me maxhorancës, Ilie Meta ka krijuar një model Presidenti që shpërfill gjithçka, që nuk pyet për ligj, për Kushtetutë dhe për protokollet më formale të një kreu shteti.
Në katër vjet Meta ka konsumuar shkelje ligjore që do të duhej ta mbanin në punë për javë të tëra Gjykatën Kushtetuese. Kur Rama bëri ndryshimet në qeveri, pas protestave studentore, Meta bllokoi si emërimet, ashtu dhe shkarkimet e ministrave. Bllokimi arbitrar dhe haptazi antiligjor i dekreteve, krijoi imazhin e një presidenti që pretendonte të “bashkëqeveriste” me kryeministrin dhe shumicën parlamentare. Shumë kohë më pas, kur Rama preku për herë të fundit kabinetin ministror pak ditë më parë, frika nga një bllokim i mundshëm i Metës ishte ende e pranishme. U përhapën fjalë se ai kishte deklaruar se nuk do të dekretonte askënd që nuk ishte tashmë deputet apo minister. Pretendimi i Presidentit për të pasur rol dhe akses në emrat e ministrave ka krijuar një precedent të rrezikshëm që Kushtetuesja duhet ta adresojë një herë e mirë. Ilir Meta do të mbahet mend gjatë si presidenti që ktheu pas buxhetin e shtetit. Një marrëzi unike në llojin e saj, që vetëm një kryetar shteti i dalë jashtë rolit dhe kompetencave të tij, mund ta çojë nëpër mend. Nëse ka një gjë për të cilën zgjidhet një maxhorancë, kjo është menaxhimi i parasë publike. Nuk ka bërë sa duhet për krizën e Covid, ishte justifikimi i kreut të shtetit. Po sikur të shtonte fjala vjen, që s’ka bërë sa duhet as për bujqit, as për peshkimin, Festivalin e Këngës apo Kombëtaren e Futbollit?!
Dhe natyrshëm vijmë tek bllokimi i fundit i huasë mes vendit tonë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për vijimin e projektit të Lungomares së Vlorës, që u mësua rastësisht pas debatit në distancë me kryeministrin. Një tjetër akt i kuptueshëm vetëm në optikën e teatrit absurd që po luhet mes Presidencës dhe qeverisë. Në katër vjet si President i rreshtuar hapur me njërën palë, Ilir Meta ka ndërtuar me dëshirë e vetëdije të plotë identikitin e Presidentit të zhveshur nga meraku institucional i balancës dhe ekuilibrit mes partive politike, pozitës dhe opozitës. Kemi një kryetar shteti që nuk dekreton ministra, që bllokon buxhete dhe fonde publike, krejt në kundërshtim me atë që është tagri i tij institucuional.
Këtë bjerrje të rrezikshme përtej sinoreve të ligjit dhe Kushtetutës Ilir Meta e shet gjithë ditën si vlerë dhe trimëri, i rrethuar nga servilë e duartrokitës televizionesh që i thurin lavde “të vetmit zyrtar të lartë të pakapur nga Rilindja”. Paçka se harrojnë se kapja është gjithmonë e keqe për një kryetar shteti, si kur të kap qeveria, ashtu edhe kur të kap opozita. Një President i kapur nga mënga nga njëra palë, është gjithsesi një President antikushtetues. Aq më keq kur ai në fakt nuk dëshëron të kapet fare nga mënga nga opozita, por të jetë vetë opozita!