Milan ëndërron një transferim të mundshëm të sulmuesit të Borussia Dortmund, Erling Haaland. Sipas raportimit të “La Repubblica”, drejtuesit e kuqezinjve e konsiderojnë atë si zëvendësuesin ideal të Zlatan Ibrahimovic.

Gjithsesi që “Djalli” të futet në garë për shërbimet e tij fillimisht duhet të sigurojë një vend në Champions League për sezonin tjetër. Më pas duhet të mposhtë konkurrencën e klubeve të tjera si Real Madrid, Liverpool apo Barcelona, të cilët kanë disa kohë që e monitorojnë situatën e tij. Gjithsesi, Milan ka disa avantazhe kundrejt rivalëve.

Bëhet fjalë për agjentin e 21-vjeçarit, Mino Raiola, i cili ka një marrëdhënie të shkëlqyer me klubin italian. Ai ka në pronësi dhe disa lojtarë si Ibra, Donnarumma apo dhe Romagnoli dhe kjo marrëdhënie mund të ndikojë dhe tek Haaland. Gjithashtu, në Milano ai do të gjente dhe shokun e tij, Jens Petter Hauge, të cilin ishte pikërisht ai që e reklamoi në merkaton e verës.