Moti i keq me reshje shiu e dëbore ka përfshirë mëngjesin e kësaj të hëne pjesën më të madhe të vendit, duke shkaktuar probleme ne qarkullimin e mjeteve. Më e rënduar situata paraqitet në zonat malore të qarkut Shkodër.
Razma, Lëpusha, Kelmendi në Malësinë e Madhe patën një sasi të madhe dëbore, ndërsa në aksin Bogë-Qafë Thore-Theth, kalimi i automjeteve të vogla dhe fuoristradave ka qenë thuajse i pamundur.
Në shumë zona të thella malore ka patur defekte në rrjetin elektrik, çka ka bërë që disa fshatra të mbeten pa energji. Reshje dëbore pati edhe në juglindje, teksa në pikën turistike të Dardhës, trashësia e saj arriti në afro 20 centimetra.
Shiu dhe era e fortë kanë prekur edhe Durrësin ku sektori i peshkimit ka pezulluar lundrimin. Sinoptikanët thonë se moti do të jetë i paqëndrueshëm dhe me reshje deri në fund të javës.
“Kjo javë ka nisur me vranësira dhe reshje shiu, reshje dëbore në zonat malore situatë e cila do të vijojë gjatë gjithë kësaj jave edhe pse herë pas here do të ketë intervale me kthjellime”.
Ulje do të kenë edhe temperaturat ku në zonat e thella malore parashikohet të zbresin deri në -4 ndërsa maksimumi do të bjerë në 9 apo 10 grade C.