Edhe pse reshjet janë ndërprerë sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë në qarkun e Shkodrës është rritur në krahasim me një ditë më parë duke zënë tashmë 1900 hektarë. Shkak mbetet niveli i lartë i prurjeve në lumenj. Një ndër qarqet më të goditura nga moti i keq dhe përmbytjet e ditëve të fundit vijon të jetë edhe Lezha. Edhe aty reshjet e shiut janë ndërprerë, por ende nën ujë ndodhen 2600 hektarë tokë në bashkitë Lezhë dhe Kurbin, duke bërë që Emergjencat Civile të evakuuojnë 30 familje.

Sinoptikanët japin shpresë se reshjet do t’i lënë vendin diellit por nga ana tjetër edhe temperaturave të ulëta. “Nuk do ketë reshje. Nga nesër ka ulje të temperaturave. Ulja me drastike do jetë të enjten, premten, shtune dhe diel. Ku temperatura do arrijnë -10 gradë në zonat malore”. Këto ditë janë të parat me temperatura të ulëta të këtij dimri.