Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho thotë se ai nuk është “mik” i kolegut te Liverpool, Jurgen Klopp, përpara ndeshjes së skuadrës së tij me “Reds”, të enjten mbrëma, por pranon se ka respekt të madh për gjermanin: “Ajo që mund të them është se, kur nuk u solla mirë, e pagova çmimin. Unë e pagova çmimin në dy mënyra: njëra ishte të shihja ndeshje në TV, në dhomën e zhveshjes, ndërsa tjetra ishin gjobat e mëdha. Personalisht mendoj se për disa nga kolegët e tjerë nuk ndodh njësoj.

Nuk ndodh njësoj me ta. Unë nuk jam mik i Jurgen, sepse kurrë nuk kam pasur kohë të rri me të. Kur nuk e njeh mirë personin, s’mund të thuash shumë gjëra të tipit “më pëlqen, ai është shoku im” apo “nuk më pëlqen, nuk është shoku im”.

Me Jurgen rrimë pesë minuta para ndeshjeve direkte dhe pesë minuta pas tyre. Ajo që mund të them për të është se e shoh si koleg, që unë e respektoj, me të cilin nuk kam asnjë problem. Dhe besoj se ai është në të njëjtin raport me mua. Asnjë problem fare”.