Mungesa e tifozëve në stadiume ka bërë të paparashikueshme shumë ndeshje futbolli, duke anulluar plotësisht faktorin fushë, ndërsa ka zbehur pak bukurinë e kësaj loje, e cila falë entuziazmit në tribuna, shton shpesh dozën e spektaklit në fushën e gjelbër. Por kjo mungesë e mbështetësve si pasojë e pandemisë, ka zbarazur edhe arkat e klubeve, të cilat kanë pësuar një goditje të rëndë financiare nga mungesa e të ardhurave që siguronin në ditën e ndeshjes.
Në Itali është bërë bilanci i deritanishëm dhe është publikuar lista me milona euro që kanë humbur klubet e elitës vetëm sepse nuk kanë shkallaret e mbushura. Klubi që e ka vuajtur më shumë mungesën e mbështetësve në ditët e ndeshjeve është Juventusi, me 80 milionë euro që përllogariten të humbura. Vendi i dyët i përket Interit me 60 milionë euro, ndërsa ndjek Milani në vendin e tretë me 40 milionë euro.
Më pas vijnë me radhë Roma (38), Atalanta (20), Lacio (20), Napoli (17), Fiorentina (15), Udineze (11), Bolonja (10), Sampdoria (7,5), Torino (7), Xhenoa (7), Verona (7), Kaljari (6,5), Sasuolo (6), Parma (6), Benevento (5), Krotone (4) dhe Specia (3).
Të gjitha të ardhura në mungesë që kanë rënduar ekonominë e futbollit në Itali dhe kanë bërë që shumë klube të shkurtojnë shpenzimet apo të heqin dorë nga merkato pasi nuk e financojnë dot.