Ronald Koeman vlerësoi Marc-Andre ter Stegen si njeriun kyç të fitores thelbësore 2-0 ndaj Elche, të dielën, duke thënë se “Barcelona është me fat që ka një portier të cilësisë së tij”. Gjigandët katalanas ishin 1-0, në sajë të golit të Frenkie de Jong, kur Ter Stegen i mohoi barazimin sulmuesit të Elche, Emiliano Rigoni, në fillim të pjesës së dytë.
Barça do të vuloste fitoren më vonë, në sajë të një goli të Riqui Puig, por Koeman ishte i shpejtë për të theksuar kontributin e portierit të tij: “Ata nuk kishin shanse, përjashto rastin e fillimit të pjesës së dytë, kur na shpëtoi Ter Stegen. Ai shans erdhi nga një gabim i madh i mbrojtjes sonë. Portieri ynë ishte shumë i mirë në evitimin e atij rasti shumë të rrezikshëm. Për fat të mirë ne kemi një portier të madh, sepse kundërshtari mund të kishte barazuar. Në mbrojtje, përveç atij gabimi, ne bëmë mirë. Gjëja më e mirë për sot ishte presingu përpara dhe loja pa top. Me siguri, e merituam të fitonim”.
Pavarësisht nga fitorja, Koeman zvogëloi mundësinë që Barça të pretendojë titullin e La Liga-s, me udhëheqësit e Atletico Madrid shtatë pikë përpara skuadrës së tij, me dy ndeshje në dorë: “Ne do të përpiqemi të sfidojmë për titullin, por Atletico është ende i fortë”.