Rreth 17% e martesave në Shqipëri ndodhin nën moshën 18 vjeç. Një hap i tillë në Kodin e familjes dhe në të gjitha konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është shkelje e hapur e të drejtave të fëmijëve. Të dhënat më të fundit zyrtare të martesave në moshë të hershme janë ato të INSTAT për vitin 2017, ku raportohen se 3,827 vajza u martuan pa mbushur moshën 19-vjeç; pra ato lidhën kurorë para ose gjatë 18-vjetorit të tyre. Nëse e krahasojmë këtë të dhënë me vitet e kaluara, sipas INSTAT, ka një rënie nga 25 % apo 30% në 17%. Bie në sy, se partnerët e tyre nuk janë në moshë kaq të re, pra vetëm 0.5% e meshkujve ishin të mitur, pjesa tjetër kishte një moshë realitivisht 5 vjet më të madhe se vajzat.
Ndërsa statistikat botërore tregojnë se më shumë se 650 milionë gra dhe vajza janë martuar pa bërë 18-vjeç. Sipas përllogaritjeve duke marrë në konsideratë të dhënat, ekspertët mendojnë se mesatarisht 15.1 milionë vajza do të martohen çdo vit pa mbushur moshën 18 vjeç. Në rënie janë martesat që bëhen kryesisht të detyruara nga prindërit për vajzat nën moshën 15-vjeç.
Rastet më të shumta të martesave në moshë të hershme ndodhin në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, por kjo nuk do të thotë se janë të përjashtuara fenomene të tilla në vendet më të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
UNFPA në Shqipëri tregon një vëmendje të veçantë në drejtim të këtij fenomeni me pasoja në shëndetin riprodhues të grave, fëmijëve dhe që bën shkelje të të drejtave dhe barazive gjinore.Përmes trajnimeve, bashkëpunimit me insitucionet shtetërore dhe organizatat e ndryshme që operojnë në vendin tone, UNFPA në Shqipëri synon të rrisë ndërgjegjësimin se martesat e hershme apo shtatzënitë e padëshiruara që ndodhin në këtë moshë dëmtojnë shëndetin riprodhues të vajzave.Referuar studimeve dhe argumenteve të sociologëve dhe psikologëve martesat e hershme ndodhin për shkak se prindërit mendojnë se përmes zyrtarizimit të lidhjes së fëmijës së tyre kryesisht të vajzave do të sigurohet një e ardhme më e mire për të, duke shkuar në familjen e partnerit të saj. Kjo për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ndodhet familja, ku fëmija shihet si barrë financiare.
UNFPA në Shqipëri iu sugjeron autoriteteve të kenë me përparësi këtë çështje, pavarësisht situatave dhe emergjencave të viteve të fundit, të lokalizojnë zonat që janë më të nxehta përsa i takon fenomenit të martesave në moshë të hershme për të përfshirë aty programe zhvillimi për kategoritë risk. Referuar gjetjeve të raporteve të ndryshme të bërë në vendin tonë, martesat në moshë të hershme ndodhin kryesisht tek komuniteti rom te diktuara edhe nga arsimi i ulët.Qëllimi është që duke punuar me qeverine dhe shoqërinë civile në të gjitha nivelet do të mund të promovohen më mirë vlerat njerëzore, të mbrohen të drejtat e njeriut dhe ky fenomen mund të reduktohet vetëm më përfshirjen e politikave sociale si punësimit dhe ndihma ekonomike që mund të zbuste varfërinë. Me prioritet janë dhe shërbimet shëndetësore, pasi vajzat e mitura mund të ndeshen me shtatzëni të padëshiruara apo komplikacione të ndryshme në rast se nuk kanë akses dhe nuk marrin shërbim shëndetësor.