Nga Klesiana Omeri/

Do të mbahet mend si akti më i paprecedentë në historinë e politikës shqiptare, por dhe si ngjarja që solli në Kuvend një opozitë që në pak kohë u bë as-i nën mëngë i qeverisë.

Përgjatë një viti, opozita parlamentare i dha votën mazhorancës për të kaluar një sërë ligjesh në Kuvend. Më të diskutuarat ndryshimet Kushtetuese që sollën hapjen e listave dhe ndryshimin e formulës së koalicionit.

Madje opozita parlamentare votoi dhe marrëveshjen e 5 qershorit, për të cilën një pjesë e opozitës trumbentoi me të madhe kundërshtinë. Por mungesa e një qendrimi të unifikuar të opozitës në Kuvend i dha “5 qershorit” 99 vota pro .

Një ulje në tryezë me mazhorancën nuk “i shpëtoi” dot as kjo opozitë e re. Propozuar fillimisht nga opozita në Kuvend, ndryshimet kushtetuese duket se ishin plani i radhës i socialistëve.

Por më shumë se për hapjen e listave, socialistët më të interesuar ishin për ndryshimin e formulës së koalicioneve. Sinjalet e para i dha kryeministri Rama kur mbështeti kërkesën e opozitarëve për të ulur pragun në zgjedhje e për të hapur listat.

Opozita kërkoi hapjen 100% të listave. Nëse kërkesa e tyre nuk pranohej rrezikohej të përsëritej historia e bojkotit. Listat nuk u hapën 100% , koalicionet u hoqën dhe ndryshimet kushtetuese morën votat pro të 106 ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë.

“Sot pavarësisht se shumëçka ne na ndan, vota e përbashkët është në fakt të qenit së bashku në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së pluralizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë të cilëve ne u japim mundësinë të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe deputetin që duan”.

Por ajo opozitë që u vlerësua për faktin që mori mandatet, shumë shpejt do shndërrohej në një aksident të dobishëm.

“Sipas meje ju jeni aksidenti dobishëm në këtë fazë, pasi falë jush kemi arritur të bëjmë atë që nuk do të kishim bërë dot nëse këtu do të ishin, Luli apo Monika , që nuk duan zgjedhje”.

A i përdori mazhoranca papjekuritë politike të opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën?

“Opozita parlamentare bëri më shumë për vendin edhe se cdo bënte opozita përpara se të hiqte dorë nga mandatet. Në këtë këndvështrim të bësh mirë për vendin nuk do të thotë që i bën mirë mazhorancës. Ne jemi të gjithë shqiptarë dhe qëllimet i kemi të përbashkëta. Nëse në qëllime madhore dhe opozita u bashkua me mazhorancën kjop nuk do të thotë se është gjë e keqe. Nuk është keq të bashkohemi bashkë për gjëra jetike të vendit. Ne duhet të kuptojmë që të bërit bashkë nuk është gjë e keqe. Ky është dhe një sinjal për opozitën kur të vijë në opozitë, të vijë me mend të reja, të ketë marrë mesazhin që i kanë dhënë shqiptarët por dhe pse jo edhe kjo opozitë”.

Për nr 2 të Partisë Socialiste, Taulant Balla opozita parlamentare është rezultat i veprimeve të opozitës jashtë Kuvendit.

“Unë i referohem Komisionit të Venecias kur thotë se heqja dorë nga mandatet, nga ana e opozitës jo parlamentare, nga PD dhe LSI, dhe liderët e partive të vogla në krevatin e Partisë Demokratike, ka qenë një akt që bie ndesh me trashëgiminë europiane demokratike, me vlerat më të mira të përfaqësimit, me kontratën që të zgjedhurit kanë me qytetarët dhe do t’i bëja thirrje qytetarëve shqiptarë që mbajini mend mirë emrat e Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Petrit Vasilit, që tradhëtuan besimin tuaj për të tradhëtuar mandatin që ju keni dhënë duke e shpërdoruar këtë mandat, duke humbur përfaqësimin tuaj në Kuvendin e Shqipërisë. Kush e bën njëherë thotë populli e bën për së dyti, kështu që asnjë votë për këta njerëz që tradhëtojnë mandatin e qytetarëve”.

Në bilancin e një viti, kreu i grupit demokrat të opozitës në Kuvend Myslim Murrizi thotë se asnjë prej opozitave në 30 vite nuk ka bërë asgjë më shumë, ndonëse pranon se shumë prej deputetëve kanë qenë në funksion të shumicës socialiste.

“Vitin 2020 ka qenë vitii ndryshimeve kushtetuese dhe kodit zgjedhor. Nuk është pak për një opozitë me aq numra sa jemi dhe nuk shoh ndonjë mrekulli në 30 vite se cfarë kanë bërë opozitat e tjera në parlamentin shqiptar. Opozita fjalën ka, punët dhe realizimin e premtimeve i ka ai në pushtet. Në asnjë vend të botës ose rradhë ndodh që opozita të diktojë ligje në parlament, ne ia dolëm të bënim ndryshimet kushtetuese, dhe implementimin e tyre ashtu sic janë bërë në kodin zgjedhor. Vota e Myslim Murrizit jo vetëm këtë vit, por prej vitit 2017, nuk ka votuar asnjë ligj të kësaj mazhorance, dhe e grupit parlamentar që unë drejtoj. Nuk mbaj përgjegjësi për deputetë të tjerë, janë grupit parlamentar të ardhur nga listat e PD dhe LSI. Nuk besoj se e kanë shitur votën, por ka deputetë që kanë votuar pa ia kërkuar kush kot, të frustruar për amzhorancën ka patur se mazhoranca nuk i ka 84 vota, 97 vota”.

Deputeti i opozitës Edmond Stojku, gjithë shigjetimet se opozita janë shitur janë prodhuar nga qeveria.

“Sot që po flasim, të gjithë qeveritë e korruptuara kanë prodhuar një ambient total për të korruptuar publikun, dhe publiku i detyruar realisht për të zgjidhur hallet e veta nuk sillet si komunitet për shkaqe krejt reale se ne nuk jemi shoqëri politike por jemi shoqëri primitive që ushtrojmë presion individual mbi strukturat dhe individë të pushtetshëm për të zgjidhur hallet e ditës? Fatkeqësia jonë me e madhe është se opozita nuk ka vepruar si formacion i bashkuar në përballje me qeverinë e kohës për të dhënë rezultate të pritshme por ka vepruar si grupe individësh për përfitime financiare”.

Tashmë lufta e opozitës parlamentare, e ndarë në disa fronte është një karrige për parlamentin e ri në 2021, shumë prej të cilëve e kanë humbur tashmë. (Shqiptarja.com)