Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë derisa vazhdojë derisa të përmbyllet procesi zgjedhor në Kosovë dhe të krijohen institucionet e reja. Ajo ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka legjitimitet për të negociuar në emër të Kosovës. “Legjitimitet të tillë nuk mund të ketë as ndonjë i deleguar nga një qeveri e tillë”, ka thënë Osmani. Ajo këto komente i bëri në Bruksel, ku të martën ka zhvilluar takime me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, dhe me Komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Verhelyi. Po ashtu, ajo ka biseduar edhe me grupin “Miqtë e Kosovës” të formuar nga disa ligjvënës të Parlamentit Evropian.

Osmani ka thënë se askush në Kosovë nuk është kundër dialogut, por Kosova duhet të ketë “një qëndrim unik, i cili duhet të jetë në përputhje me interesat e Kosovës, duke respektuar edhe kufijtë e saj”. Sipas Osmanit, një legjitimitet i plotë për dialog nga ana e Kosovës është i domosdoshëm edhe për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve të cilat do të arriheshin në dialogun e Brukselit. Osmani kërkon që Kosova të ketë platformë për dialogun me Serbinë Në këto takime të Osmanit temat kryesore të bisedimeve ishin zhvillimet në Kosovë në prag të zgjedhjeve, përballja me pandeminë dhe dialogu me Serbinë. Osmani ka thënë pas takimeve se ua ka rikujtuar zyrtarëve të BE-së edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës që Bashkimi Evropian poashtu të përmbush premtimet ndaj tyre për liberalizim vizash.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, bashkë me ato të BE-së, duhet të punojnë më shumë që sa më shpejt që është e mundur t’ia ofrojnë perspektivën evropiane popullit të Kosovës, i cili vazhdon të jetë populli më pro-evropian në kontinent, por i izoluar shkaku i mos liberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar kriteret, ndaj BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, është shprehur Osmani. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës ka falënderuar Parlamentin Evropian në angazhimet për të ndihmuar Kosovën si dhe për kërkesat e Parlamentit që 5 shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Osmani ka thënë se në rajon duhet të ketë drejtësi si kusht për një paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe perspektivë të integrimeve Evropiane. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, më 6 janar shpërndau kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e reja, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Vuçiq: Përkufizimi i kufijve është një zgjidhje Gjykata ka gjetur se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Shkak për këtë u bë vota e Etem Arifit, ndaj të cilit në kohën e votimit të qeverisë, më 3 qershor, kishte pasur një vendim të formës së prerë, për dënim prej një vit e tre muaj burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.

Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës. Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit. BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar./REL