Mesut Ozil ka udhëtuar drejt Turqisë për ta mbyllur marrëveshjen me Fenerbahcen. Mesfushori 32-vjeçar i ka përshëndetur bashkëlojtarët e vet në qendrën stërvitore të Arsenalit të dielën, duke i dhënë fund karrierës shtatëvjeçare e gjysmë në Londrën veriore.
Arsenali i ka dhënë atij leje për të udhëtuar drejt Stambollit, ku ai do t’iu nënshtrohet testeve mjekësore para se ta finalizojë marrëveshjen me Fenerbahcen, klubin përkrahës i të cilit ka qenë që prej fëmijërisë. Gjithçka që mbetet për t’u finalizuar është çështja e dokumenteve, pasi Arsenali dhe Ozili kanë arritur ujdi për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes në vlerë prej 350 mijë funteve në javë.
Sipas burimeve të Goal brenda klubit londinez, nuk do të ketë njoftim formal për largimin e fituesit të Kupës së botës derisa procedurat e zakonshme të kompletohen. Por Ozili ka folur për televizionin turk NTV para kalimit në Fener.
“Jam shumë i lumtur dhe ngazëllyer. Jam tifoz i Fenerbahces. Si tifoz i Fenerbahcen, zoti e ka bërë të mundur që unë ta vesh këtë fanellë. Do ta jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Ozil. Ozili iu bashkua Arsenalit nga Real Madridi në vitin 2013 për një shumë rekorde për klubin atë botë, 45 milionë euro. Ai i ka bërë 184 paraqitje për Arsenalin në Premierligë, duke i shënuar 33 gola dhe duke i dhënë 54 asiste.