Situata e krijuar nga pandemia ndikoi në rënien e fluksit të hyrje-daljeve nga Shqipëria, në muajin dhjetor të vitit të kaluar. INSTAT publikoi sot raportin mbi lëvizjen e shtetasve, sipas të cilit, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2020 është 2.657.818 persona me një rënie prej 58,5 %, në krahasim me vitin 2019. Ndërsa numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.906.828 persona, ose 50,9 %, më i ulët krahasuar me vitin e mëparshëm. INSTAT bën të ditur se, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin dhjetor 2020, është 442.966 persona dhe krahasuar me dhjetor 2019, ky tregues rezulton me rënie 50,7 %.
Sipas statistikave, në dhjetor 2020, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 180.815, krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë me 37,4 %. Gjatë vitit 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,3 %, krahasuar me vitin 2019.
“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020 janë 215.698 persona. Krahasuar me dhjetorin 2019, ky numër ka rënë 55,5 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020, janë 155.973. Krahasuar me dhjetorin 2019, ky numër ka rënë 47,9 %”, bëri të ditur sot INSTAT.