Dikur kur mendoje kreun e Kishës Katolike, të vinte ndërmend ndonjë krijesë krejt e veçantë, që nuk kishte të bënte fare me punët e kësaj bote, dhe që merrej vetëm me Perëndinë.

Natyrisht, këtu nuk po fusim disa nga papët që u përshkruan shumë mirë në romanin Pirati që u bë Papë, veçse kur vijnë në kohët tona, tek Papa Françesku, kuptojmë se edhe Kisha Katolike, me dëshirë a me përdhunë, ka ndjekur zhvillimin e shoqërisë.

Pasi pranoi teorinë shkencore të Big Bengut (duke thënë se ajo që ka ndodhur para saj, ishte punë e Zotit), Papatit i hyri pasioni edhe për futbollin. Ja, Papa Françesku dha një intervistë ekskluzive për La Gazzetta dello Sport, ku mes të tjerave u pyet edhe për Diego Armando Maradonën.

Kreu i Vatikanit foli me fjalë dashurie për patriotin e tij të ndjerë (të dy argjentinas), duke theksuar se në fushë ishte një poet që lumturoi miliona njerëz në Napoli dhe në Argjentinë”, por edhe duke shtuar se “ishte një njeri shumë i thyeshëm.

Papa tregoi një histori të Kupës së Botës 1986, kur ai kishte studime në Gjermani, dhe kur rezultatin e finales së Argjentinës së Maradonës ndaj Gjermanisë Perëndimore e mori vesh vetëm të nesërmen.

Ishte një festë e vetmuar, – tha Papa, – pasi aty në Gjermani nuk kisha me kë ta ndaja gëzimin që Argjentina u bë kampione e botës.

Papa Françesku vlerësohet si një kryetar ndryshe në Vatikan, madje cilësohet si një yll roku, ndërsa ka shprehur qendrime liberale për homoseksualizmin dhe ka vazhduar traditën e klerikëve katolikë të Amerikës Latine, të cilët kanë luftuar kundër varfërisë dhe për të drejtat e njeriut.