Debati nëse një president mund të falë veten, është ndezur këto kohë në SHBA, pas sulmit mbi ndërtesën e kongresit, javën e kaluar nga mbështetësit e Donald Trump.
Trazirat bënë që presidenti në detyrë të përballet me një impeachment të dytë nën akuzën për nxitje të dhunës por edhe ka ripërtërirë pikëpyetjet nëse ai mund të përdorë fuqinë e faljes presidenciale për veten për të shmangur ndjekjen penale në të ardhmen. Në të shkuarën, ai e ka mbështetur një opsion të tillë. Në 2018-ën, kur ai ishte nën hetim për lidhjet e fushatës së tij me Rusinë gjatë zgjedhjeve të 2016, ai tha se kishte të drejtë absolute të falte veten.

Por, vetëfalja, mund të mos jetë domosdoshmërisht në interes të Trump-it dhe këshilltarët thuhet se janë përpjekur ta bindin që të heqë dorë nga kjo ide. Ata mendojnë se falja e vetes mund të shihet si pranim faji. Për më tepër, kjo sipas ekspertëve ligjorë, mund të ketë efekte të kundërta duke nxitur departamentin e drejtësisë, nën Joe Biden, të sfidojë faljen dhe të ngrejë akuza kundër Trump. Vetë kushtetuta amerikane, nuk flet për këtë çështje. Neni i II i aktit themelues, i jep presidentit fuqinë për të dhënë falje për vepra penale kundër SHBA-së, me përjashtim të rasteve të shkarkimit”.

Ky tekst lë hapësirë për interpretim. Ekspertët kujtojnë se nuk ka një precedent për këtë. Por mbështetësit, më të paktë në numër se kundërshtarët, thonë se presidenti mund të falë veten pasi ai ka fuqinë të falë krimet federale. Sidoqoftë, ka një precedent në historinë amerikane kur një president është falur nga pasardhësi i tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1974 kur pasardhësi i Nixon, Gerald Ford, e fali atë për krimet kundër shteteve të bashkuara. Asokohe, shumë kritikë, e panë këtë më shumë si një vetëfalje nga presidenti Nixon.