Koronavirusi mund të jetë një kërcënim i vazhdueshëm për njerëzimin, pasi mund të qëndrojë në qarkullim përgjithmonë. Paralajmërimin e jep Stephen Bancel, drejtori ekzekutiv i firmës farmaceutike amerikane Moderna, vaksina e së cilës është e dyta që ka marrë leje urgjente përdorimi në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian. Në një konferencë ndërkombëtare për shëndetësinë, Bancel, citohet nga mediat, t’i ketë bërë firmave farmaceutike të vazhdojnë të zhvillojnë vaksina për të mbajtur situatën nën kontroll.

Këtë e besojnë edhe ekspertë të tjerë ndërkombëtarë të virologjisë, të cilët nisur nga veçoritë e Covid-19 thonë se virusi do të qarkullojë, edhe pse me një përhapje më të reduktuar falë edhe zhvillimit me kalimin e kohës të imunitetit të njerëzve dhe nga vaksinat. Moderna ka rezultuar efektive ndaj mutacioneve të virusit që po shfaqen njëra pas tjetrës në vende të ndryshme të botës. Sakaq, zyrtarët në Moskë thanë se pas 19 Janarit presin përgjigje pozitive nga Agjencia Europiane e Barnave EMA për rezultatet e rishikuara të testimeve për vaksinën ruse Sputnik V. Përgjigjja pozitive i hap rrugë miratimit të përdorimit urgjent të kësaj vaksine edhe në vendet e BE-së.

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se javën e ardhshme do të shpallë nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë me Sputnik V, që pritet të jetë i starti i parë i kësaj faze në botë.