PD ka dalë për të disatën herë bllof me denoncimet e saj për procesin e rindërtimit. Bashkia e Tiranës ka përgënjeshtruar sërish PD-në, e cila sot pretendoi se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit, ndërkohë që zotëron 4 prona të tjera dhe duhet të përjashtohej si përfitues. Por nga dokumentet e publikuara nga Bashkia e Tiranës, rezulton se PD ka ngatërruar person. Lulzim Ali Aga, për të cilin flet PD-ja, nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit dhe për pasojë, Bashkia e Tiranës nuk po i ndërton shtëpinë.

Në të vërtetë, shtëpia i është ndërtuar Luli Shaban Agës, e cila ishte klasifikuar e kategorisë DS5, për rindërtim, nga ekspertët.

Deklarata e plotë e Bashkisë së Tiranës: Është fakt i njohur botërisht se Lulzim Basha e ka shndërruar Partinë Demokratike në prodhuese dhe shpërndarëse qesharake ‘fake news’-esh. I mbytur nga dëshpërimi se po përgatitet të humbë sërish zgjedhjet në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, Lulzim Basha e ka humbur toruan dhe çdo ditë fabrikon mashtrime të ulëta për procesin e rindërtimit, duke guxuar të tallet me të gjitha familjet që u prekën nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit.

Lulzim Basha, njeriu që ka hyrë në histori me nofkën kryebashkiaku i gjumit, i ka mashtruar shtatë herë qytetarët e Tiranës dhe rasti i sotëm është mashtrimi i tetë. Në një deklaratë qesharake të publikuar sot, një spikere e PD-së pretendoi se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit dhe po i rindërtohet shtëpia, ndërkohë që sipas saj, ai zotëron 4 prona të tjera. Lulzim Ali Aga mund t’i zotërojë pronat që pretendon PD-ja, por ky shtetas nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit dhe për pasojë, Bashkia e Tiranës nuk po i ndërton atij shtëpinë.

Në Njësinë Administrative Vaqarr në datën 21 shkurt 2020 ka aplikuar shtetasi Luli Shaban Aga, shtëpia e të cilit është klasifikuar e kategorisë DS5, për rindërtim. (Dokumentet i gjeni bashkëlidhur.) Njësoj si në rastin e Tatjanës nga Njësia 4, të cilës Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i ndryshuan identitetin dhe e bënë Fatime, për të mashtruar qytetarët e Tiranës, edhe sot Luli Shaban Agës i ndërruan identitetin dhe e kthyen në Lulzim Ali Aga për të fabrikuar gënjeshtrën e radhës.

Por, me sa duket, PD-ja ka ngatërruar Lulin hallexhi të tërmetit me Lulin e 4 vilave pas tërmetit. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë lënë pa ndihmuar as edhe një familje që është prekur nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit, por vijon punën për strehimin e tyre në banesa të reja, të rindërtuara, më të mira e më të sigurta.