Ambasadori italian në vendin tonë Fabrizio Bucci i bën apel klasës politike që të lërë gjyqtarët të kryejnë në qetësi punën e tyre. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori italian thekson se u përket vetëm gjyqtarëve që të dallojnë faktet nga fjalët. Sipas tij, polemikat e padobishme e të instrumentalizuara asnjëherë nuk ndihmojnë në verifikimin e së vërtetës.

“Italia është e, do të jetë gjithmonë, përkrah institucioneve të Republikës së Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbështetje maksimale autoritetit gjyqësor shqiptar për shqyrtimin e plotë të çdo episodi të korrupsionit apo të paligjshmërisë, nga cilido qoftë kryer dhe prej ngado rrjedh. Le t’i lemë gjyqtarët të kryejnë në paqe punën e tyre, me qetësi e në mënyrë të pavarur. U përket atyre të dallojnë faktet nga fjalët. Polemikat e padobishme e të instrumentalizuara asnjëherë nuk ndihmojnë në verifikimin e së vërtetës. Të gjithë duhet të angazhohen në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit përmes sjelljeve të duhura. Kush do ta bëjë këtë do të ketë përherë mbështetjen e Italisë”, shkruan ambasadori italian pas debatit të ndezur në vendin tonë për përgjimet në Itali.