Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) paralajmëron një mot të keq në javën në vijim dhe rrezik për përmbytje. IGJEUM njofton se priten prurje të rrezikshme në lumenjtë e vendit.

Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 janar 2021. Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021. Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve. Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave. Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet.

Sa i përket ditës së sotme dhe për nesër IGJEUM njofton se priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata.