Izraeli planifikon që dy milionë persona të marrin dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit deri në fund të Janarit. Që prej 19 Dhjetorit 2020, kur Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mori dozën e parë të vaksinës, Izraeli nisi një fushatë të vaksinimit kundër koronavirusit, me vaksinën e prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech.
“Ne po e ngadalësojmë procesin e administrimit të dozës së parë, në mënyrë që të kemi rezerva të mjaftueshme që të gjithë ata që tashmë kanë marrë dozën e parë të mund të marrin dozën e dytë”, tha drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë izraelite, Hezi Levy për transmetuesin publik, KAN.
“Deri në fund të Janarit, ne do të vaksinojmë dy milionë qytetarë, kryesisht të moshuar”, shtoi ai. Deri më 1 janar, një milion persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Izrael. “Ne po thyejmë rekorde”, deklaroi më 1 Janar Netanyahu. “Jemi më përpara se e gjithë bota”, shtoi Kryeministri izraelit.
Izraeli ka një popullsi prej 9,29 milionë banorësh, ka thënë Byroja e Statistikave. Në këto shifra përshihen edhe banorët në Jerusalemin Lindor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Izraeli ka regjistruar 435,866 raste pozitive me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi. Në këtë shtet janë raportuar për pothuajse 3,400 vi kt ima. Izraeli po ashtu më 1 Janar konfirmoi 18 raste me variantin e ri të koronavirusit, që fillimisht u detektua në Britani të Madhe.