Mesut Ozil i dha fund zyrtarisht bashkëpunimit me Arsenal dhe zgjodhi Fenerbahce për të vazhduar karrierën. Një ndarje e keqe me klubin anglez, situatë që ka trishtuar edhe Lukas Podolskin. 35-vjeçari ka luajtur me Ozil tek Arsenali dhe kombëtarja gjermane.

Me fantazistin ka një miqësi të madhe dhe e vlerëson transferimin e tij te gjiganti turk. Në prononcimin e dhënë për Bild, sulmuesi gjerman thekson se Arsenali është ai që gaboi në këtë situatë.

“Jam shumë i kënaqur që Ozil shkoi në Turqi te Fenerbahce. Mesut është 32 vjeç dhe ndodhet në moshën më të mirë për të luajtur futboll. Kampionati turk vazhdon të përmirësohet, po shtohet numri i lojtarëve të mëdhenj që shkojnë atje.

Mesut ka shfaqur gjithmonë një nivel të lartë loje dhe nuk ka shfaqur kurrë një qëndrim negativ ndaj shokëve apo klubit. Në këtë histori, ishte Arsenali që u vendos në anën e gabuar. Nuk mund të përjashtohet në këtë mënyrë një futbollist që ka 6-7 vite që është pjesë e jotja.

Mëkat dhe turp që përfundoi në këtë mënyrë, nuk duhet të ndodhte kështu. Çdo futbollist profesionist është i pakënaqur kur nuk lejohet të luajë. Mesut mund të bëjë atë që do më shumë tani: të luajë futboll“, përfundoi Podolski.