Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare vendosi sot marrjen e masave për menaxhimin e kaskadës së Drinit, nisur nga parashikimet meteorologjike që raportojnë reshje intensive shiu javën e ardhshme. “Raportet meteorologjike parashikojnë se për periudhën 22-26 janar 2021 priten reshje intensive shiu, në të tre basenet e kaskadës së lumit Drin dhe për pasojë prurjet në HEC-et Fierzë, Koman dhe Vau Dejës priten të rriten ndjeshëm”, thuhet në një njoftim të KESH.
Sipas njoftimit, “Sekretariti Teknik i Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave vijon punën në marrjen e masave paraprake për t’i paraprirë situatës që pritet të vijë në ditët në vijim”. Për këtë arsye, shkarkimet e kontrolluara në HEC-in e Vaut të Dejës u rritën nga 300 m3/s në 700 m3/s me synim parandalimin e shkarkimeve të mëdha në momentet e pikut të prurjeve natyrore.
“Shkarkimet do të menaxhohen me kujdes duke ndjekur në dinamikë zhvillimet meteorologjike. Bazuar në informacionin aktual të prurjeve, shkarkimet nuk do të kenë ndikim në zonën e nën-Shkodrës”, thuhet në njoftim. Kreu i KESH, Benet Beci, siguron se do të vijojë bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse dhe do të mbajë të informuar në mënyrë transparente opinionin publik.