WhatsApp, një nga aplikacionet më popullore në botë ka mërzitur mijëra përdorues , pasi nga 8 shkurti nuk do t’i lejojë ata të kenë akses nëse nuk pranojnë që të dhënat e tyre t’i ndajnë me Facebook-un.
Kjo ka bërë që programet e ngjashme me të, si Telegram dhe Signal, të përballen me një rritje të ndjeshme përdoruesish. Konkretisht, Telegram ka regjistruar 25 milionë përdorues të rinj gjatë 72 orëve të fundit, duke arritur gjithsej në mbi 500 milionë.
“Me gjysmë miliardi përdorues aktivë dhe me përshpejtimin e rritjes, Telegram është bërë streha më e madhe për ata që kërkojnë një platformë komunikimi të përkushtuar ndaj privatësisë dhe sigurisë.. Nuk do t’ju zhgënjejmë.”, deklaroi themeluesi i platformës Pavel Durov.
Po ashtu edhe Signal ka parë një rritje të frikshme të përdoruesëve këtë javë. Edhe Elon Musk, kritikoi politikat e privatësisë së Facebook dhe iu sugjeroi ndjekësve të tij që të përdorin Signal, sugjerim që e ktheu aplikacionin në një nga më të shkarkuarit në Apple Store dhe Google Play.