Milani po vazhdon me paraqitjet e mira në fushën e lojës, pasi kryeson me meritë kampionatin dhe sapo ka siguruar kalimin në çerekfinale të Kupës së Italisë, por trajneri Pioli vijon të përballet me telashe të ndryshme nga java në javë. Kështu mediat pranë klubit kuqezi raportojnë se mbrojtësi Theo Hernandez dhe mesfushori turk Hakan Calhanoglu nuk janë stërvitur sot me skuadrën, pasi vuajnë dëmtime të lehta, por rrezikojnë seriozisht të mos jenë gati për transfertën e të hënës ndaj Cagliarit.

Këtyre të dyve u shtohen edhe Ante Rebic e Rade Krunic, që vijojnë të jenë në izolim, pasi janë prekur nga koronavirusi, Rafael Leao i pezulluar, si dhe të dëmtuarit e tjerë si Matteo Gabbia, Ismael Bennacer e Alex Saelemaekers. Në këto kushte trajneri i Milanit ka punuar me spanjollin Brahim Diaz si fantazist në vendin e Calhanoglut, pas shpinës së Ibrës, ndërsa në mesfushë do të luajnë Kessie e Tonali nga minuta e parë, me blerjen më të re, Meite në pankinë.

Në mbrojtje do të konfirmohet dyshja e qendrës Romagnoli-Kjaer, me Dalot në të majtë e Calabrian në të djathtë, ndërsa në krah të Ibrës në sulm do të luajnë spanjolli Castillejo dhe norvegjezi Hauge.