Nga Mero Baze
Dje ishte një moment në “Opinion”, kur Lulzim Basha në pamundësi për të sqaruar punën e vilave ku jeton (jo atyre dy të rejave në Hamallaj ku pushon), tha: “Unë jam zhvendosur në një vilë për një arsye familjare dhe e kam sqaruar qartë këtë…” -E ke sqaruar, e kemi sqaruar tre herë, bollë më…., ndërhyri Fevziu. -Po patjetër e kemi sqaruar, se ndryshe është shumë e lehtë, do ma kishin nxjerrë…., vazhdonte Basha. Për të gjithë ata që po bëhen konfuz, është fjala për dy vila që familja e Lulzim Bashës dhe vjehrrit të tij, kanë marrë tek një zonë rezidenciale në periferi të Tiranës prej vitit 2019.
Në fillim e fshehu që jeton atje, por pasi u botuan fotografitë e veturës para vilës, e pranoi. Tani ka dy vjet që gënjen pa pikë turpi dhe thotë e dinë të gjithë, e kam bërë të qartë, që jetoj aty me qira. E para, nuk e ka bërë kurrë të qartë që jeton me qira. Për ta bërë të qartë që jeton me qira, ai duhet të botojë kontratën e qirasë, nga kush e ka marrë me qira, dhe sa lekë paguan në muaj. Pastaj ne të verifikojmë sa taksë paguan ai që e ka dhënë me qira, si tatim fitimi nga qiraja.
Ka dy vjet që nuk e bën këtë. Nuk e ka bërë as tek Fevziu, që është gati ta mbulojë me trup vilën kur del në ekran. Është shumë e thjeshtë për t’u bërë. Është vetëm një kontratë që botohet dhe thuhet ja nga kush e kam marrë dhe ja sa paguaj. Nuk e bën dot, pasi vila është pronë reale e familjes së gruas së tij, e blerë me një emër që e vë atë në siklet, se aq lekë “blerësi” si numëron dot gjithë jetën. Nuk e bën dot, se pastaj do t’i shtrohen pyetje të tjera, atij dhe blerësit, që mund ta vënë në halle më të mëdha. Por nga ana tjetër, siç thotë edhe vetë, nuk është e vështirë që një ditë ajo të bëhet publike. Nëse Qeveria ka interes, çon një grup verifikimi në rezidencë dhe i zë vilat me radhë.
Nuk e bën dhe kjo është për të parë përse nuk e bën, nga dashuria për Lulzimin, apo se ka dëshirë ta dëgjojë Lulzim Bashën publikisht të gënjejë, që e ka marrë vilë me qira për një arsye ekstreme familjare, dhe që pastaj Fevziu që bën zërin e dytë të korit, vazhdon “e dimë, e dimë, e ke sqaruar tre herë”. Asnjëherë se ka sqaruar dhe nuk e sqaron dot gjithë jetën. Po të ishte e thjeshtë për ta sqaruar, do ta sqaronte doemomos. Por ajo histori fsheh një gënjeshtër të rëndë të tij dhe e implikon atë në konflikte të tjera interesi. Ndaj Lulzim Basha e ka më të lehtë të na durojë ne që ja përmendim përditë vilën dhe mungesën e transparencës, se sa të bëjë transparencën e saj dhe të tregojë, ose që e ka blerë në emër të dikujt, ose që e ka marrë me qira.
Ai vazhdon të thotë përditë: “Ju e dini shumë mirë, e dini shumë mirë”. E dimë Lulzim, por dimë që ti po gënjen. Dhe jemi të kënaqur që halli që të shtyn të gënjesh, është më i madh se halli që ke blerë dy vila përmes një të treti, që bën sikur t’i jep me qira e që ti nuk nxjerr dot letrat.