“Secilit sondazhin e vet!”,- është diçitura që duket se i shkon për shtat, kësaj prag fushate elektorale për zgjedhjet e së dielës së fundit të prillit në Shqipëri. Për një arsye fare të thjeshtë: Pothuajse të gjitha televizionet kryesore në vend janë angazhuar dhe po bëhen gati që të kenë, sondazhet dhe exit pollet e veta.

Sot në ekranin e Televizionit “Ora News”, fillon sondazhi i parë për këto zgjedhje, ai i IPR Marketing, me të njohurin prej 12 vjetësh tashmë në Shqipëri, italianin Antonio Notto. Nga zgjedhjet e vitit 2009, ai është shfaqur rregullisht në ekranin e Ylli Ndroqit, për të ofruar parashikimet e tij të cilat duhet thënë, se deri më sot kanë qenë përgjithësisht serioze dhe profesionale.

Mbrëmë në ekranin e Syri TV u shfaq sondazhi i asaj që u prezantua si “kompania angleze “Flame Tree Advisor”, e cila siç edhe pritej nga mediat kritike me opozitën, nxorri fitues Lulzim Bashën me më shumë se 52% të votave. Një rezultat ky që PD nuk e ka marrë asnjëherë që nga themelimi i saj.

Prapa saj dyshohet se qëndron një personazh apo pseudonim me emrin Adlej Pici, për të cilin mediat thonë se është emigrant dhe punon për llogari të një ish deputeti të PD. Besueshmëria është aq e ulët, sa as mediat pranë PD dhe LSI nuk e pasqyruan. Kuptohet, përveç Lulzim Bashës që shkroi sot për të në rrjetet sociale: “Faleminderit për mbështetjen. Ndryshimi po vjen. Në 25 prill do fitojë Shqipëria!”

Përpara këtij sondazhi është zhvilluar, në traditën e disa viteve tashmë, ai në Report TV në bashkëpunim me italianët e Institutit “Piepoli”. Sondazhi I kompanisë së njohur përtej “Adriatikut” ofron të dhëna interesante sidomos për garën në qarqe dhe bashki të ndryshme të vendit, çka e orienton edhe më mirë shikuesin dhe zgjedhësin shqiptar në terren.

Në ditët në vijim pritet të zhvillohet sondazhi i analistit të njohur Eduard Zaloshnja me një televizion tjetër. Është i njohur kontributi i tij, përmes sondazheve të publikuara në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në “News 24” por edhe në mediat e tjera të vendit. Edhe Baton Haxhiu ka zhvilluar në të shkuarën sondazhe të ndryshme, por nuk dihet ende, nëse do ta bëjë këtë për zgjedhjet e pranverës.

Risia më e madhe e këtij sezoni elektoral në media, pritet të jetë sondazhi i Top Channel, në bashkëpunim me IPSOS. Kompania e njohur ndërkombëtare në këtë fushë, mori pjesë edhe në sondazhet e zgjedhjeve të fundit Presidenciale në SHBA, për garën mes Donald Trump dhe Joe Biden. Këto sondazhe do të bëhen pjesë e emisionin “Open” të Eni Vasilit.

Në këtë mënyrë, në javët në vijim Shqipëria do të ketë tri gara paralele për 25 prillin.

Gara e parë, është ajo elektorale mes partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore.

Gara e dytë, është ajo për audiencën mes dhjetra emesioneve dhe maratonave televizive që pritet të zhvillohen sipas traditës së krijuar prej shumë vitesh tashmë.

Dhe gara e tretë, që mund të cilësohet edhe si risia e këtyre zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare në Shqipëri, është ajo e sondazheve.

Në lojë janë kompani serioze dhe me përvojë kombëtare e ndërkombëtare. Mes tyre ka siç duket edhe sajesa qesharake. E rëndësishme është që po krijohet një kulturë e re mediatiko-politike në Shqipëri. Kultura e matjes së opinioneve dhe preferencave të qytetarëve përpara se të shkojnë në kutinë e votimit, apo sapo ato të mbyllen, e para se të shpallet rezultati zyrtar.

Kuptohet se tek kjo tendencë ka shumë interesa në mes, por në fund të fundit hopi i ri cilësor që po ndodh, është pozitiv. Është koha ajo që do të tregojë se kush përfiton më shumë nga secili prej sondazheve që do të zhvillohet; politika apo mediat. Qytetari do shohi 7-të a 8-të dhe votën do shkojë ta hedhi atje ku e di vetë!/ALPENEWS.AL