I lindur në Skrapar, Nasip Naço është “bashkëpatriot” me Ilir Metën, por ka një profil shumë më modest politik. Ai nuk ishte pjesë e themeluesve të LSI-së, por figura e tij është treguar mjaftueshmërisht me peshë që Lëvizjen Socialiste për Integrim ta nxjerrë forcë të parë në Qarkun e Beratit, ku e ka udhëhequr që nga zgjedhjet e 2009-ës. Por, në zgjedhjet e 25 prillit Naço do të bëjë fushatë nën siglën e Partisë Socialiste, duke e cilësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim një “eksperiment politik për të cilën shqiptarët nuk kanë më nevojë”.
Kulmin e karrierës së tij politike, Nasip Naço e pati në 2013-n, kur nga pakti Rama-Meta u zgjodh ministër Drejtësie në zgjedhjet e reja. E merrte këtë detyrë vetëm 5 vite pas u përshi në politikë. Në 2008 ai la detyrën si prokuror në qytetin e Durrësit, duke dhënë dorëheqjen. U fut në politikë duke u anëtarësuar te LSI-ja dhe duke marrë drejtimin e kësaj partie në Qarkun e Beratit.
Në zgjedhjet e 2009-ës, shumë figura të njohura të LSI-së mbetën jashtë Parlamentit, por Nasip Naço ishte njëri nga katër deputetët që nxorri Lëvizja Socialiste për Integrim, e që më pas përcaktuan Qeverinë e re, pas marrëveshjes Berisha-Meta. Fillimisht nuk u përfshi në ekzekutiv, por u zgjodh nënkryetar i Kuvendit. Pas akuzave publike të të ndjerit Dritan Prifti ndaj Ilir Metës në 2010-2011, Nasip Naço e zëvendëson në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë. Këtë detyrë e mban deri në 2012, kur rikthehet si nënkryetar Parlamenti.
Në 2013, nuk u zgjodh deputet, por këtë herë pas marrëveshjes Rama-Meta, merr drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, nga ku do të drejtonte punën e ekzekutivit për reformën në këtë sektor. Por, në gjysmën e mandatit u zëvendësua nga Ilir Meta me emrin e Ylli Manjanit. Ndryshimi u interpretua në atë kohë si presion i Ilir Metës ndaj Edi Ramës për të larguar nga Qeveria ministrat që akuzoheshin për korrupsion dhe lidhje me krimin nga ana e opozitës. Përflitej se përplasjen më të madhe Meta e kishte me Saimir Tahirin, që mbante postin e ministrit të Brendshëm.
Pa portofol ministri dhe pa mandat deputeti qarkulluan disa zëra se Ilir Meta po përgatiste Nasip Naçon për të marrë postin e prokurorit të Përgjithshëm. Por, kjo nuk ndodhi. Në 2017, Nasip Naço udhëhoqi LSI-në në Qarkun e Beratit duke e renditur parti të dytë, pas Partisë Socialiste me rreth 20 mijë vota dhe dy mandate. PS nga ana tjetër merrte 4 mandate në këtë qark bastion të sajin, ndaj me këtë lëvizje të Nasip Naços, Blendi Klosi tha se tashmë socialistët do të kërkojnë pesë mandate në Qarkun e Beratit. (SI)