Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel në kuadër të përballimit të situatës Covid kanë diskutuar mundësinë e prodhimit të përbashkët të vaksinave kundër koronavirusit. Mediat e huaja bëjnë me dije se Kremlini njoftoi se diskutimet u zhvilluan në kuadër të një telefonate që patën të dy liderët të martën.
“U diskutuan çështjet e bashkëpunimit për luftimin e pandemisë së koronavirusit me një theks në perspektivat e mundshme për prodhimin e përbashkët të vaksinave“, thuhet në një deklaratë për mediat. Ndër të tjera bëhet me dije se gjatë kësaj bisede është arritur dakortësia që kontaktet të vazhdojnë mes ministrive të shëndetit të të dyja vendeve dhe agjencive të specializuara. Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu zgjidhjen e konfliktit midis Kievit dhe forcave separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore, pasi situata ka mbetur e bllokuar që kur u nënshkruan marrëveshjet e paqes më 2015.
Rusia dhe Gjermania kohët e fundit kanë filluar vaksinimet masive për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe për të shmangur rivendosjen e bllokimeve në të gjithë vendin. Gjermania po përdor vaksinën e zhvilluar bashkërisht nga Pfizer dhe kompania me bazë në Mainz – BioNtech, ndërsa Rusia ka hedhur në qarkullim masiv vaksinën e saj Sputnik V. Në muajin gusht 2020, Rusia njoftoi se do të fillojë përdorimin e vaksinës së saj para fillimit të provave klinike në shkallë të gjerë, duke ngritur shqetësime mbi shpejtësinë e procedurës së licencimit.
Disa kritikë e kanë përshkruar këtë veprim si një mjet për të forcuar ndikimin gjeopolitik të Rusisë. Alexander Gintsburg, drejtori i qendrës shtetërore të kërkimit Gamaleya që e zhvilloi vaksinën Sputnik, të martën tha se mbi 1 milion njerëz në Rusi janë vaksinuar. Moska dërgoi gjithashtu vaksinat e saj në Bjellorusi, Serbi dhe Argjentinë dhe njoftoi se Bolivia do të furnizohet me 2.6 milionë doza.