Sevilla fitoi 0-2 ndaj Linares dhe siguroi lehtësisht kualifikimin në raundin e 1/16 të Kupës së Mbretit në Spanjë. Një episod i veçantë u regjistruar gjatë pjesës së dytë. Trajneri Lopetegui hodhi në fushë Franco Vazquez në minutën e 74-t.
Në këtë moment, Sergi Gomez, i cili mbante shiritin e kapitenit në sfidën e djeshme, iu afrua Vazquez dhe i dhuroi shiritin për faktin që argjentinasi është më i vjetër në moshë, por 31-vjeçari latin refuzoi.
Një gjest që ka sjellë kritika në Spanjë. Tifozët e ekipit andaluzian nuk e kanë pritur mirë refuzimin e Vasquez. Ky i fundit ndodhet në vitin e fundit të kontratës dhe në fund të sezonit do të largohet me parametra zero nga Sevilla.
Vetë lojtari ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku shpjegon se pse vendosi të mos e marrë shiritin. “Refuzova për respekt ndaj Sergi Gomez, shokut tim të skuadrës. Ai e nisi ndeshjen si kapiten dhe duhet ta mbyllte me shiritin në krah“, thekson Franco Vazquez.