Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kamzë, ku hap dyert për fëmijët e prekur nga tërmeti një tjetër hapësirë fantastike, kopshti “Niko Hoxha”, ndërsa pas pak javësh nis dhe ndërtimi i një shkolle të re dhe i një lagjeje për 280 familje. Ndërsa vlerësoi kopshtin me standarde bashkëkohore, Kryeministri Rama tha se këtu do të bëhet po ashtu një lagje fantastike. “Do bësh një marrëveshje me Universitetin Bujqësor dhe gjithë këtë parcelën këtu por edhe te shkolla të krijohen parcela frutikulture me domate, speca, zarzavate, pemë, që është mirë që të vegjël të shohin si mbillet, rritet, kujdeset për bimët. Në çdo shkollë dhe kopsht ku është mundësia duhet bërë”, iu drejtua Rama, kryetarit të bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se kopshti “Niko Hoxha” ka 9 klasa dhe këtu mësojnë 200 fëmijë. “Është kopsht me drekë dhe ka dhe dhoma fjetje”, tha ai. Ahmetaj theksoi po ashtu “në fund të janarit këtu ngrihet kantieri për 21 pallate dhe 2 ose 3 javë më pas fillon dhe shkolla me kopshtin tjetër, që realizohen me fondet e qeverisë. I kemi kërkuar IKMT-së të nisë nga puna për pastrimin e territorit dhe nisim nga puna”.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli u shpreh se ka filluar infrastruktura për gjithë territorin dhe këtu sistemohen 280 familje. Këtu do të ketë pallate, shkolla, çerdhe, Qendër Shëndetësore dhe siç shihet ka filluar investimi i infrastrukturës. Brenda muajit fillojmë pastaj dhe me pallatet. Që nga vitet ’70 kur u ndërtua, në këtë zonë nuk është vënë dorë. Pas 30 vitesh në harresë, vetëm tani Kamza ka një kopsht me standarde”. Suli tha se “e gjithë sipërfaqja prej 7 ha nuk pati faturë ekonomike për shpronësimin dhe as vonesa për fillimin e këtij investimi”.