Nga Klevis Bakillari/
Mali i Tomorit ose Parku Kombëtar i Tomorit gjendet vetmitar e hiror në lindje të qytetit të Beratit dhe në veriperëndim të qytetit të Çorovodës. Mali i shenjtë apo ‘malbaba siç e quan poeti Xh. Spahiu, nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore, bukuritë e të cilit magjepsëse. Tomori njomet nga ujërat e lumit Osum dhe lumit të Tomoricës ndërsa ballin e mbanë tek retë në lartësinë 2416m. Ndaj kush kalon natën në Tomor do t’i duket sikur po mbledh yjet me dorë. Aty flladiten gjilpërat e pishës që janë një ilaç kurues, livadhet janë shtruar me qilim lulesh, të ofrohet pamje eksploruese e sunduese përreth, freskohesh nga ujërat e borës së re e të vjetër.
Rrobull, ah, lis, shkozë, lajthi, dëllinjë, frashër, mëllezë, thanë, mare, shqopë etj, si dhe 6 lloje bimësh endemike, mes të cilave Astragalus Autroni, lloj endemik i cili ndodhet vetëm në Malin e Tomorit janë përfaqësuesit specifik të florës dhe faunës në këtë zonë. Sa i përket kafshëve dhe shpendëve të egra gjenden këto lloje: ari i murmë, ujku, dhia e egër, derri i egër, mace e egër, lepuri i egër, dhelpra, kunadhja, baldosa, ketri, shqiponja, gjeli i egër, fëllëza e malit, disa lloje skifteresh, mëllenja dhe disa lloje të tjera zogjsh. Park Kombëtar i Tomorit është një oaz ku nuk gjenden vetëm monumente natyrore të tilla si Rrapi i Lybeshës, Shpella e Kapinovës, Stera e Prosekut, Stera e Katafiqit, Stera e Kakrukës, Cirqet Akullnajore të Tomorit, Stera Uvlën (Pusi Ramijës), Morenat Akullnajore të Ujanikut, Vrima e Dragoit, Qafa e Kulmakut, Robulli i Kulmakut por edhe objekte kulturore fetare e historike siç është Teqeja e Abaz Aliut, që është një arsye e fortë e shumë vizitorëve të këtij parku.
Për Tomorin, vizitat e ngjarjet që janë zhvilluar në trup të tij dhe ritet e besimit kanë shkruar një sërë personalitetesh. Lord Bajron që vizitoi malin e shenjtë i shkruante kështu nënës së tij: ‘kudo që shohim rrotull,sipër,poshtë,na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi..të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqiptarçe,ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura…..Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm,afër malit të Tomorrit,u mirëpritëm nga i pari i vendit Ali Pasha.” Gjithashtu britaniku tjetër, piktori Eduard Lear do ta përjetësonte Tomorin në veprat e tij të peizashit. Eqrem Vlora ka shkruar kujtime e studime historike “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003). Petro Marko ishte i apasionuar pas Tomorit dhe shpesh e vizitonte bashkë me Dritëro Agollin dhe kthenin ndonjë gotë raki e këndonin bashkë me Demir Zykon në Gjerbës. Vlenë të theksohet ngjarja historike e krijimit të Çetës Plakë të Kulmakut më 14 Mars 1942 me komandant Mestan Ujaniku, e cila edhe çeta e parë e krijuar në Shqipëri.
Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është relike e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit. Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, besohet se është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike. Në zhvillimet e mëvonshme etno-historike e fetare të shqiptarëve, substrati pagan u tregua shumë i qëndrueshëm; ai mbijetoi si një element i vazhdimësisë së traditës mitologjike ilire dhe si shprehje e njësisë shpirtërore të tyre. Vendet e peligrinazheve të epokës pagane dhe ritet pagane mbetën po ato në epokat e mëvonshme fetare, ndryshuan vetëm përfytyrimet që lidhen me këto rite, duke marrë një veshje kristiane ose islame. Ky evolucion dhe stanjacion njëherësh është karakteristik edhe për kultin e Tomorit dhe ritet e pelegrinëve në nderim të tij.
Për të ardhur tek ekzaltimi romantik i shekullit XIX, kulti pagan i malit të shenjtë të Tomorit kaloi dy faza, që iu përgjigjën dy periudhave të historisë fetare të shqiptarëve: periudhën e lulëzimit të kristianizmit dhe atë të islamizmit. Por, sikur të mos ekzistonin këto dy faza, siç do ta provojmë më poshtë, letërsia romantike e Rilindjes shqiptare, u nis nga kulti pagan dhe mbeti te përmbajtja dhe përfytyrimi i tij primitiv mitologjik. Ajo çka i shtoi kjo letërsi këtij kulti ishte fryma e ekzaltuar e romantizmit nacional.
Për të kuptuar çka u tha duhet të hapim këtu një parantezë të shpejtë. Deri në fund të shek. XV, kur ra kështjella e fundit e rezistencës shqiptare, feja e shqiptarëve ishte krishterimi. Ata i përkisnin ritit katolik dhe ritit ortodoks. Pas vendosjes së sundimit osman në shek. XV, nisi procesi i islamizimit të popullatës vendëse. Në shek. XVII, 70% e shqiptarëve ishin kthyer në besimin islam. Gjatë shek. XVIII njohu një përhapje relativisht të gjerë në Shqipëri bektashizmi. Kështu që shqiptarët erdhën në epokën e lëvizjes së tyre nacionale të ndarë në katër grupe fetare. Ata paraqiteshin tanimë si katolikë e ortodoksë në minorancë dhe si myslimanë e bektashinj e synitë në mazhorancë. Po sipas M. Hasluck bektashinjtë e pranojnë se kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër. Ata i besojnë gojëdhënës se Haxhi Babai, duke parë pelegrinë që ngjiteshin në Tomor çdo mes gushti për t’iu falur një hyjnie pagane, shkoi në Qerbela, mori një dorë dhe nga varri i vërtetë i Abas Aliut, e hodhi në majë të Tomorit dhe e konsakroi atë si varrin e dytë të shenjtorit. Burime të pavërtetuara bëjnë fjalë për një tyrbe të vitit 1620 kushtuar heroit të Qerbelasë, kurse teqeja bektashiane është ngritur më 1916. Nga gjithë ky trashëgim pagan dhe postpagan, shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare ruajtën bërthamën pagane dhe iu referuan admirimit gati mistik të ndërgjegjes popullore për kultin e malit në fjalë. Me këtë lëndë ata ndërtuan mitin romantik të malit të Tomorit, në frymën e idealeve patriotike.
Për shkollën e romantizmit shqiptar të shekullit XIX, që u përftua nën ndikimin e fuqishëm të lëvizjes mendore e politike për çlirim nacional nga zgjedha osmane, poetizimi i traditave historike dhe evokimi i së kaluarës heroike legjendare, fitonte përparësi të veçantë. Kjo ishte rruga e afirmimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve si banorë të lashtë të gadishullit. Por ky ishte edhe një argument i njësisë së tyre shpirtërore e kulturore. Feja, që për popujt e tjerë të gadishullit ishte një faktor integrimi kombëtar, për shqiptarët e ndarë në disa besime ishte një faktor disintegrimi. Në këtë mes nuk duhet harruar edhe fakti që fetë e ndryshme në Shqipëri ishin edhe përçuese ndikimesh të huaja politike e kulturore.
Duke mos qenë të bashkuar rreth një feje, shqiptarët duhet të ishin të bashkuar rreth një miti kombëtar. Shkrimtarët romantikë këtë mit e krijuan me lëndë historike kur evokuan shekullin e qëndresës shqiptare që lidhet me emrin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Por e krijuan dhe me lëndën e legjendës e të besimeve të lashta popullore, kur poetizuan kultin e Tomorrit. Për t’i dhënë prestigj shkencor e thellësi historike këtij miti ata iu referuan trashëgimit antik. Toponimin Tomaros ose Tamari a Tmariqë del te Straboni dhe te Plini Secundi (Talar) si mal pranë Dodonës, pra si mal i Shenjtë, ata e lidhën pa asnjë mëdyshje me Tomorin e Shqipërisë. Kështu kulti i Tomorit u shndërrua në kultin e malit ku ka selinë perëndia e lashtë e shqiptarëve. “Shqiptarët e moçëm, – shkruan poeti kombëtar Naim Frashëri, – besoninë Hyjninë, dhe në mal të Tomorit ish falëtore e ti, që thuhej Dodonë”.
Ky kult nacional i shqiptarëve në letërsinë romantike u kthye në një kult poetik të cilit iu drejtuan shumica e shkrimtarëve romantikë si Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Naim Frashëri (1846-1900), Andon Zako Çajupi(1866-1930), Asdreni (1872-1947), Hilë Mosi(1885-1933), Ndre Mjeda (1866-1937), etj. K. Kristoforidhi, themeluesi i prozës moderne shqiptare, shkrimtari që solli në shqip Dhjatën e Re dhe shumicën e shkrimeve të shenjta, njërit prej rrëfimeve të tij më të bukura, Gjahu i malësorëve (1884) i vë si nëntitull Hieja e Tomorit, dmth sipas etimologjisë që jep ai, Perëndia e Tomorit. Kjo prozë evokon perëndinë pagane të shqiptarëve si mbrojtëse të tyre qysh nga kohët kur, si shkruan autori, Krishti e Muhameti nuk kishin ardhur në botë.
A. Z. Çajupi poetike e titulloi “Baba – Tomori” (1902). Vjersha me të njëjtin titull e kësaj përmbledhjeje është ndërtuar si një dialog poetik midis autorit dhe baba Tomorrit që është personifikuar si dëshmitar i ndodhive historike të shqiptarëve dhe si një orakull që parathotë të ardhmen e kombit. Në poezinë e Naim Frashërit, poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve, tradita pagane e kultit të Tomorit u rigjallërua në një sfond mitologjik si Olimp i shqiptarëve dhe si seli e zanave të maleve. Ky element i fundit paraqet interes të veçantë si një figurë tradicionale mitologjike e trashëguar nga lashtësia ilirike. Sipas Eqrem Çabejt, nga një “interpretatio latina”, Zana, nuk është veçse Diana iliro-romane, që në shqip dha Zana e në rumanisht Zina. Këtë personifikim të bukurisë dhe të trimërisë, mbrojtëse të maleve, figurë tipike për mitologjinë pagane të trevave veriore, poema e Naimit “Bagëti e bujqësia” (1886) e ka sjellë në mal të Tomorit dhe e ka thirrur si “perëndi e ligjësisë” (e ligjërimit). Mbetet e diskutueshme nëse kjo neologjizëm e Naimit lidhet me trajtën Zërë (Zana) që haset në Jug të Shqipërisë, dhe që është një dëshmi për njësinë shqiptare. Po këtu është rasti për të vënë në dukje se poetizimi i Tomorit si seli e muzave të maleve është në funksion jo vetëm të krijimit të mitit romantik për malin e shenjtë të shqiptarëve. Poeti i lutet zanës të mbrojë fusharakët si edhe malësorët, dhe kjo i jep Tomorit atributin e simbolit të unitetit kombëtar të shqiptarëve. Besohet se rasti i kultit të Tomorit në letërsinë romantike shqiptare është një dëshmi e plotë e rolit që kanë lojtur kultet pagane ose fetare të popujve ballkanikë për ndërtimin e miteve e simboleve kombetare.
Rrugët nëpërmjet të cilave mund të vizitohet Tomori janë këto: Berat- Dardhë, Berat-Tomor, Berat-Lybesh, Berat- Kapinovë, Berat – Poliçan – Çorovodë – Gjerbës -Trebël – Dumck – Romas – Tërov, janë rrugë rurale te shtruara me cakëll ose kalldrëm. Lajmi i gëzueshëm për të gjithë vizitorët e malit, veçanërisht për besimtarët e investitorët, për dashuruesit e natyrës, për të apasionuarit pas hiking, është promovimi prej Kryeministrit Edi Rama i punimeve për asfaltimin e aksit Poliçan – Pronovik- Qafa e Kulmakut (Teqe e Dervish Iljaz) që e afron në 3 orë Tiranën me majën (çukën) e Tomorit ku ndodhet edhe tyrbja e Abaz Ali. Ishte një rrugë e premtuar ndër dekada, nga shumë deputetë, qeveritarë e kryeminsitra. U desh të prisnim gjatë, u desh të investohej energjia pozitive e ekipit të Partisë Socialiste lokale, të drejtuesve lokalë bashkiak, të udhëheqësit politik të Qarkut Berat z. Blendi Klosi, të deputetit të Skraparit z. A. Shameti dhe përkushtimi e vendosmëria për të investuar ne çdo cep të Shqipërise e për t’i çuar punët deri në fund të Edi Ramës, kryeministrit të dekadës së re!
Le të shërbejë kjo rrugë si një mundësi e re për të kapur majat e Tomorrit, për afrim, zbulim e bashkim me Skraparin dhe asetet historike, fetare e natyrore të trevës, si një mundësi investimi në ekoturizëm, në agroturizëm që do ta rivitalizojnë jetën ekonomike rurale. Mbi të gjitha le të shërbejë si një rrugë orientimi e besimi politik tek PS, tek Edi Rama i cili punon për të gjithë kudo nëpër Shqipëri.
Kjo është rruga e reflektimit se beratasve dhe skraparasve nuk iu nevojiten më, kurrësesi, politikanët krahinor që vetëm premtuan e premtuan, e të kundërtën bënë duke marshuar e çjerrë e maskaruar malin e shenjtë të Tomorit.