Gazetari Blendi Fevziu e pyeti dje Presidentin Ilir Meta sesa është pasuria e tij dhe si e ka marrëdhënien me paranë. Meta e ka konsideruar absurde pyetjen nëse ka përfituar ekonomikisht nga postet që ka mbajtur, teksa ka shtuar se vendimet e tij në funksionet publike që ka patur janë transparente dhe të verifikueshme. Meta ka vijuar më tej duke thënë se marrëdhënien me paranë e ka të largët, dhe kurrë në shtëpi nuk është marrë me menaxhimin e tyre.
Gazetari: Çfarë raporti keni me paratë? Presidenti Meta: Është një raport tepër i largët, për arsye sepse unë asnjëherë në shtëpi nuk kam bërë pazare dhe nuk para merrem me menaxhimin. Gazetari: Nuk flas për lekët e xhepit, po flas për pasurinë në përgjithësi. Presidenti Meta: Në përgjithësi dhe tërësi, unë jam një njeri që ky mund të jetë interesi i fundit, për atë detyrim që njeriu ka ndaj familjes.
Gazetari: A keni përfituar po e quaj ekonomikisht dhe financiarisht nga postet që keni pasur? Presidenti Meta: Është pyetja më absurde që mund të bëhet në rastin tim. Për arsye se, të gjitha aktet dhe vendimet e mia kanë qenë publike, lehtësisht të kontrollueshme dhe verifikueshme. Gazetari: Padyshim komente ka sa të duash. Presidenti Meta: Nuk shqetësohem fare për komentet.