Puntata e fundit e “Love Story” të hënën u komentua më shumë se të tjerat, pasi u transmetuan tri takime të Saimirit me vajzat, ku ai i puthi të tria në buzë. Protagonistet kryesore të kësaj puntate ishin Meri, Generda dhe Flavia. Me të tria vajzat Saimiri realizoi takime romantike, duke mos ngurruar aspak që të tria vajzave t’u dhuronte puthje. Në fillim me Generdën, pastaj me Flavian dhe në fund me Merin. Sipas komentuesve, Saimiri i ka puthur pothuajse të gjitha vajzat dhe tashmë është shumë e vështirë të kuptojmë se ku është i fokusuar më shumë ai dhe kë do të zgjedhë në fund, apo nuk do të zgjedhë asnjërën? Por ndërkohë që 33-vjeçari ka krijuar këtë konfuzion, kanë nisur të qarkullojnë thashetheme se në fakt ai në këtë “Reality show” ka hyrë me plan. Kjo, pasi listës së 18 vajzave që hynë në fillim të garë, iu shtua dhe një treshe e re në mes të dhjetorit. Përveç Generdës të ardhur nga Gjermania, në konkurrim u futën edhe Redona e Valentina, kjo e fundit e tërhequr në mënyrë të papritur nga gara.

Le të ndalojmë pak te plani dhe Generda. Sipas thashethemeve që kanë nisur mes vajzave që po garojnë për të fituar Saimirin, në fakt Saimiri po garon për show pasi Generda e ardhur nga Gjermania është e dashura e tij reale dhe ai e futi në lojë për të zgjedhur atë si përfundim. 22-vjeçarja Generda Braçe ka lindur në Tiranë, por është larguar nga Shqipëria në moshën 1- vjeçare me familjen e saj drejt Gjermanisë. Profesioni i saj është menaxhere projektesh. Është shumë e lidhur me familjen. Karakterizohet nga siguria dhe besimi që ka në vetvete. I pëlqen shumë të merret me sport, shkon rregullisht në fitness, por veçon biçikletën. Motoja e jetës së saj është “Jeta nuk gabon, çdo gjë ndodh për një arsye!”. Ishte pikërisht Generda, të cilën Saimiri zgjodhi ta puthte në dhomën e zhv eshjes së një dyqani luksoz, me të cilën u ndje një kimi e pazakontë, së cilës ata ia bashkëngjitën komunikimit në gjuhën gjermane.

Për t’u bërë pjesë e këtij ‘reality dating show’, Generda u shpreh se ka lënë Gjermaninë për të gjetur dashurinë në Shqipëri, njësoj si Saimiri. Ajo tregoi se është larguar në Shtutgart që në moshën 1-vjeçare dhe se kjo është hera e parë që kthehet vetëm në Shqipëri, pasi nuk e lidhte asgjë me këtë vend. “Jam larguar në moshën 1- vjeçare nga Shqipëria dhe kam 20 vjet që jetoj jashtë shtetit. Është hera e parë që kam ardhur në Shqipëri vetëm. Kam ardhur për një mision shumë të rëndësishëm për mua dhe ky mision quhet “Love Story”, ka thënë ajo. E për ta njohur më tej tipin e saj, Generda ka folur pak edhe për karakterin e saj, duke theksuar se i pëlqejnë shumë sportet, një e përbashkët tjetër më Saimirin: “Sillem sipas situatës, po s’më pëlqeu si sillet njeriu unë i vë direkt kryqin. Më pëlqen shumë të merrem me sport, kam qenë në kurs noti, kurs volejbolli. Kam shumë qejf t’i jap biçikletës, sidomos me familjen të dielave kur është koha e bukur që nuk bie shi”.

Generda theksoi faktin: “S’kam qenë asnjëherë e dashuruar”, që komentuesit e kanë cilësuar një frazë të përdorur me kast, për të mos rënë në sy se mes saj dhe Saimirit, ekziston diçka para, përtej show-t dhe pas tij, që do të thotë se ajo do të jetë e zgjedhura e tij. Edhe pse Saimiri nuk premtoi celebrim për vajzën që do të zgjedhë në fund, ai u shpreh se do ta provonte një herë si do shkonte lidhja pas programit për t’i hedhur hapat me kujdes.

KUSH ËSHTË SAIMIRI, 33-VJEÇARI BIZNESMEN QË VURI NË RADHË VAJZAT SHQIPTARE PËR NJË UNAZË

Njihuni me beqarin e “Love Story”, princi modern që do të rrëmbejë zemrat e shumë vajzave. Kështu e bëri produksioni nën drejtimin e Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, prezantimin e 33-vjeçarit e ardhur nga Gjermania, i cili i vuri vajzat shqiptare në garë për një unazë nga ai. Që pas shfaqjes në premierën e së hënës në spektaklin “Love Story”, djali më fizikun perfekt po komentohet si beqari më yll i momentit. Djaloshi që i ka bërë të gjithë ta diskutojnë, është ai që do t’u japë mundësinë 18 vajzave të njihen dhe të dalin në takime romantike me të.


Ish-futbollisti tashmë biznesmen është xhentëlmeni që ka bërë për vete mijëra shikues e më në fund nuk është më i panjohur. Ai jeton e punon mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, është një financier dhe sipërmarrës i suksesshëm i disa bizneseve.

Pasioni i tij është sporti dhe kjo duket qartë nga fiziku i tij, ndërkohë që sapo ka fituar titulli “princi modern”, pasi 18 vajza kanë hyrë në garë për të. Saimiri është në kërkim të dashurisë së jetës dhe do ta gjejë atë në sytë e gjithë botës, pas këshillës nga e ëma e tij, e cila i ka vënë detyrë që të martohet me një vajzë shqiptare. Gjatë klipit prezantues, folën për këtë vendim të tij dy prindërit dhe motra më e vogël, e cila i këshilloi vajzat që ta kenë kujdes vëllain, edhe pse në fillim nuk ishte dakord që ai të merrte pjesë në një format të tillë. Ndërkohë, e ëma, një bionde sharmante, u shpreh se edhe pse djali jetonte i vetëm, ajo sërish nuk rrinte pa i gatuar kekun e tij të preferuar apo pa i bërë gati valixhen kur ai nisej për një udhëtim, si ky i fundit në Tiranë, ku misioni i tij është të gjejë gruan e jetës.

Nga ana tjetër, babai, të cilin Saimiri e cilësoi modelin e tij, u shpreh se me të birin janë më shumë si shokë sesa si babë e bir. E për ta plotësuar përshkrimin e tij, “Panorama Plus” sjell detaje të pathëna deri tani në program. Ai ka një profil në internet si futbollist, në pozicionin e mbrojtësit në fushë. Ndër të tjera shkruhet se ka lindur në 27 gusht 1988 në Tiranë dhe në moshën 8-vjeçare është vendosur me familjen në Manhajmi të Gjermanisë. Është 1.89 m i gjatë dhe përveç skuadrave gjermane, në 2010 ka luajtur për Tiranën, që e kujton si eksperiencën më të bukur në karrierën e tij si futbollist. Ai është larguar në Gjermani me familjen kur ishte vetëm 8 vjeç. Asokohe, natyrisht, nuk i kuptonte aq mirë vendimet e prindërve dhe familjes, por vite më vonë, do ta vlerësonte shumë sakrificën e tyre për një të ardhme më të mirë, që ai ka sot. Saimiri është diplomuar për financë dhe së bashku me familjen ka në zotërim disa biznese të suksesshme në Gjermani, në sektorin e restoranteve, por po ashtu menaxhon edhe një kompani taksish.

Veç profesionit, i pëlqen shumë të udhëtojë dhe të merret me aktivitet fizik, kryesisht palestër. Modeli që e ka frymëzuar gjithmonë ka qenë babai i tij. Futbolli ka qenë ëndrra e tij e parë, ka luajtur me skuadrat gjermane si Manheim dhe Stuttgard, por emocionin që i ka dhënë momenti kur ka luajtur për skuadrën e Tiranës, ka qenë i pakrahasueshëm. Lind pyetja se ç’e shtyn një djalë si Saimiri që në dukje ka gjithçka, të vijë dhe të kërkojë partnere në një shoë televiziv. Vetë Saimiri tha se kishte marrë një ofertë të tillë më parë nga një televizion gjerman, por që e kishte refuzuar pasi partneren do ta ketë shqiptare.

Që në fillim nëna dhe babai e mbështetën dhe i dhanë bekimin e tyre, ndërsa motra ishte pak skeptike për këtë pjesëmarrje. Nuk zgjati shumë, sepse shpejt edhe ajo u bind se ky program vlente për Saimirin, por dhe vëllai i saj ishte i duhuri për programin. Saimiri është një poliglot që flet 4 gjuhë të huaja, por me siguri, deri në fund, do të perfeksionojë më shumë gjuhën e dashurisë. I rritur, edukuar, shkolluar dhe me karrierë në Gjermani, ai vendosi të gjejë fatin e tij në Shqipëri. Sa i përket tipit, konsiderohet një person i thjeshtë, i shkolluar, kavalier, me shpirt të ndjeshëm dhe empatik. Protagonisti 33-vjeçar është eksplorator i realiteteve të reja, i ka rënë përqark botës dhe adhuron sportin. Ai ka lënë pas krahëve disa histori dashurie, por beson fort te dashuria e vërtetë. Po deri në fund le të shohim nëse Saimiri erdhi me të dashurën me vete, Generdën, apo e gjitha është një thashethemnajë e nxitur nga xhelozia femërore mes konkurrenteve në garë.