Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin u vaksinuan sot me vaksinën ruse kundër koronavirusit Sputnik V në Institutin e Virologjisë Torlak në Beograd.

Vaksinën ruse e kanë marrë edhe një sërë zyrtarësh tjerë serbë. “Të gjithë jemi mirë. Do të marrim dozën e dytë brenda tre javësh, por nuk kam dyshim se do të jemi mirë. Ne nuk kërkuam të bëjmë vaksinën, por iu përgjigjëm kërkesës së ekspertëve që zyrtarët më të lartë të tregojnë publikisht se nuk kanë frikë nga vaksinat”, tha kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiç.

Ai deklaroi se ky veprim nuk ka motive politike dhe shtoi se është rënë dakord që udhëheqësit e lartë institucional të merrnin vaksinat nga prodhues të ndryshëm në mënyrë që të rrisin besimin e qytetarëve në vaksinimin kundër COVID 19.

Serbia mban lidhje të ngushta me Rusinë, por edhe me vendet perëndimore. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç është imunizuar me vaksinën e kompanive perëndimore, Pfizer dhe BioNtech.

Ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin theksoi se vaksinimi kundër COVID-19 është falas. Dorëzimi i parë i 2,400 dozave të vaksinave Sputnik V arriti në Serbi më 30 dhjetor. Agjencia serbe për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore (ALIMS) njoftoi një ditë më vonë se importi ishte aprovuar dhe se ajo kishte përmbushur kushtet ligjore për përdorim.

Serbia dhe Bjellorusia janë vendet e para në kontinentin evropian që janë furnizuar me këtë vaksinë. Vaksina ruse ende nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) apo Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).