Frank Lampard është vendosur të shkarkohet nga roli i tij si trajner i Chelsea, pasi e ka udhëhequr skuadrën londineze për pak më shumë se 18 muaj. Kjo masë është marrë nga drejtuesit, pas 5 humbjeve në 8 ndeshjet e fundit. 42-vjeçari pati një ecuri të mirë (vendin e katërt) sezonin e kaluar. Sidoqoftë, këtë sezon Chelsea shpenzoi 220 milionë £ për blerje të reja, me synimin për ta mbyllur hendekun me Liverpool dhe Manchester City, krijuar në sezonet e fundit dhe për të fituar trofe. Gjë që nuk ka funksionuar, me Timo Werner dhe Kai Havertz larg pritshmërive, ashtu si performanca e bluve si ekip ka ardhur duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.

Humbja ndaj të besuarve të Brendan Rodgers ishte vetëm e fundit e një serie disfatash kundër ekipeve më të mira të Premier League. Chelsea ka mundur vetëm West Ham nga 11 klubet më të mira këtë sezon, ndërsa ka marrë numrin e dytë më të ulët të pikëve në këtë fazë të një sezoni, që kur Roman Abramovich bleu klubin më 2003. Lampard fitoi 1.67 pikë për ndeshje në kampionat, shifër më e ulët se e çdo trajneri të epokës së Abramovich. Ish-mesfushori i Anglisë ishte i hapur për të vazhduar, por vendimi u mor nga të tjerët më lart.

Rodgers është ndër emrat që po reklamohet për të zëvendësuar Lampard në stolin e Chelsea, por ka një kontratë afatgjatë në “King Power Stadium”. Prandaj, nuk ka gjasa të vijë në Londrën perëndimore. Krahas tij, ish-trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel, trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl dhe Julian Nagelsman i RB Leipzig po konsiderohen për postin. Në veçanti Tuchel, duket se favorizohet për këtë detyrë. Massimiliano Allegri është gjithashtu një pretendent kryesor, por një zgjedhje afatshkurtër mund të bëhet deri në verë