Nga Adriatik Doçi
Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk u ndahet ‘shpiti’ nga drejtësia e vjetër, e cila po shembet nga veprimi i ligjit të Vetingut, ligj i cili u kundërshtua fort nga opozita në bashkëpunim me gjyqtarët, nga Gjykata Kushtetuese deri në Komisionin e Venecias, me LSI-në në prapaskenë. Dy partitë kryesore në opozitë po përfshijnë në listat e kandidatëve për deputetë të afërmit e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ‘djegur’ nga Vetingut, për të cilët Brukseli ka kërkuar që të jenë objekt hetimi dhe ndëshkimi, sidomos për pasuri të dyshimta.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka prezantuar si kandidat për deputet në njësinë numër 2 në Tiranë, Aldi Fushën, djalin e ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha, i cili u largua nga drejtësia në shkurt të vitit 2019 nga frika e Vetingut, sapo Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dërgoi dosjen e verifikimit dhe i kërkoi të justifikonte pasurinë. Përpos të tjera, Fusha ka bërë edhe një hotel me vlerë mbi 500 mijë euro në periferi të Tiranës, me para të deklaruara si dhuratë nga të afërmit dhe kredi të pretenduar. Fusha është kallëzuar në prokurori nga Komisioni i Vetingut.
Nga ana tjetër, kupola e Partisë Demokratike ndërhyri në Durrës, duke manipuluar listën e kandidatëve të zgjedhur nga baza për deputetë, duke shtuar në këtë listë, Enri Çenon, djalin i ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Petrit Çeno, i dënuar për korrupsion dhe i shkarkuar nga Vetingu për mashtrim, fshehje dhe mosjustifikim të pasurisë. Gjatë hetimit të pasurisë së Petrit Çenon, ka dal në pah edhe emri i Enri Çenos, i cili ka mashtruar bankën “Societe Generale Albania” në lidhje me destinacionin dhe përdorimin e një kredie me vlerë 80 mijë euro, duke lënë si garanci pronat e babait, Petrit Çeno.
Në korrik të vitit 2020, ish-gjyqtari i Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni, dha dorëheqjen, ndërsa dorëzoi një kërkesë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku kërkonte të që dorëheqja e tij të miratohej menjëherë, pasi ishte propozuar nga Partia Demokratike si kandidat për deputet. Pas kësaj lëvizje, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim u dha një mesazh të fortë partive kryesore politike, teksa tha se “Paralajmërim: Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”. Pas këtij mesazhi reagoi PD-ja duke mohuar propozimin.
Mbetet për t’u parë zyrtarizimi i listës së PD nëse Gjin Gjoni do jetë apo jo kandidat për deputet. Edhe pse Gjoni nuk është në listën e kandidatëve të votuar nga baza, Kryesia e PD-së ka të drejtë të propozojë 20 % të emrave, jashtë kësaj liste. Nga ana tjetër, LSI-ja nuk ka zyrtarizuar ende kandidatët në qarqe e tjera, me përjashtim të piketimit të emrave në Tiranë. Shqiptarja.com/