Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kanë kryer 482 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin në zbatim të planit të punës për sigurinë ushqimore, por edhe si pjesë e taskforcës antiCovid. Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 18 masa me paralajmërim, përgjithësisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit të dezinfektimit, si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit.
Referuar planit të marrjes së mostrave janë marrë 43 mostra në monitorim të produkteve ushqimore. Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 176 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. “Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit ku kanë rezultuar se përdorimi i tyre bëhet në të gjitha subjektet”, njofton AKU.