Deputeti i PS, Ervin Bushati ka folur ditën e sotme për largimet e eksponentëve të LSI nga kjo parti dhe bashkimi i tyre me PS. Bushati cilësoi LSI-në si një parti shtëpiake dhe se nuk e sheh si sfidë. I pyetur për mundësinë e largimit të kryetares së KQZ pranë LSI-së, Silva Caka drejt PS-së, Bushati u shpreh për Report Tv se dera është e hapur për të gjithë ata persona që duan të anëtarësohen pranë kësaj force politike dhe duan të japin kontributin e tyre. “Si kryetar i PS për Tiranën ne jemi në fushatë non-stop. Ka qenë një vit me shumë evente dhe për ndryshime që na është dashur të përshtatemi me teknologjinë e bërjes së fushatës.
Duhet t’i përshtatemi fushatës në kohë pandemie. Mësojmë nga më të mirët në botë. Jemi përditë pranë qytetarëve. Nuk ka mundësi që PS të ndjehet në presion apo të mendohet se të marrë njeri nga një parti shtëpiake. Nuk e shohim si sfidë. Ne duhet të kemi sa më shumë qytetarë që na mbështesin. Duhet të jetë vlerësimi i punës, jo rotacionit politik. Duhet të zgjedhin ata që e bëjnë punën më mirë. Ne besojmë që kemi punëtorin më të mirë në Shqipëri. PS si familja më e madhe në vend, të gjithë janë të mirëseardhur. Çdo qytetar është i mirëpritur e sidomos ata që mund të kenë eksperiencë. Për të gjithë është e hapur ftesa.
Ne kemi 18 mijë anëtarë të PS. Vetëm muajin e fundit jemi rritur me 3000. Në Shqipëri ka vend vetëm për parti të mëdha” , tha Bushati.