Nga Sokrat Hoxha
Sondazhi i dytë i Institutit prestigjioz italian Piepoli për zgjedhjet e 25 Prillit, publikuar në Report TV, tregoi sërish se Partia Demokratike po ndjek një strategji politike të gabuar, e cila s’po e nxjerr gjëkundi. Nuk duhen njohuri të thella politike për të kuptuar se nëse humbet disa palë zgjedhjeje radhazi, nëse disa aksione opozitare nuk marrin rezultatin e kërkuar, nëse disa sondazhe të rendisin sërish në rënie, diçka je duke e bërë gabim. Aktualisht, strategjia e fushatës politike të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, së bashku me partitë e tjera në Opozitën e bashkuar, fokusohet në faktin se Rama ka një kohë të gjatë në politikë, është i vjetruar dhe duhet te ikë vetë. Së pari, ky argument është i lodhur, sepse ti nuk ofron diçka të re, por pret që kundërshtari yt ta lërë lojën në mes. Kjo strategji po i kthehet në boomerang Partisë Demokratike, nese shohim se kryetarët e partive dhe drejtuesit politik ne rrethe të vendosur nga PD. Të gjithë janë të vjetëruar, figura të konsumuara, që s’thonë asgjë të re, përkundrazi evokojnë qeveritë famëkeqe të Sali Berishës, ato që shkaktuan Gërdecin dhe 21 Janarin.
Mjafton të mendoni për qytetin e Durrësit, ku kryetari aktual i PD, Ferdinand Xhaferri shitet si “prurje e re”, edhe pse e filloi karrierën politike në 1995 si kryetar i PD, iku nga partia për të garuar në një tjetër sigël dhe sot, në 2021, ai është akoma kryetar i PD së Durrësit. Si mund të shitet Ferdinand Xhaferri si prurje e re në politikë nga ana e PD? Rasti i Xhaferrajt dhe i Durrësit nuk është i izoluar, por mjafton të shikojmë emrat e PD që lakohen në të gjithë Shqipërinë. Nuk mjafton t’i ndërrosh qarkun e t’i quash të rinj. Siç u bë së fundmi, po në këtë qark, ku Edi Paloka u delegua si drejtues politik. Nuk mjafton të kesh bërë 2 vjet “pushim” në angazhimin politik 30 vjeçar e të quhesh i ri në politikë.
Në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Fier dhe shumë qarqe të tjera, janë po të njëjtët, është e njëjta strategji, të njëjtat fytyra, që kërkojnë vota dhe besimin e qytetarëve për një politikë të re me fytyra të vjetra. A do t’i besojnë qytetarët përsëri kësaj politike të re? Sondazhet serioze thonë jo!