Nga Plator Nesturi
Sondazhi i dytë i institutit Piepoli edhe Report Tv për zgjedhjet e 25 prillit sërish parasheh në avantazh të dukshëm PS kundrejt rivalëve të saj PD dhe LSI. Kështu, sipas sondazhit, PS mbetet sërish në maxhorancë me 48-52% kundrejt PD që shkon në shifrat e 35% dhe të LSI që luhatet në shifrat e 4-8%. Kështu, edhe kundrejt koalicionit të opozitës së bashkuar PS rezulton fituese pasi edhe nëse opozita shkon me një listë të vetme në zgjedhje, nuk arrin më tej se rezultati i 43%.

E veçanta në sondazhin e fundit është se fillojnë dhe ravijëzohen në projeksione edhe partitë e reja që janë formuar së fundmi. Ndër to partia e ish nëkryetares së PD Jozefina Topalli del mbi kuadrin e 1 % dhe me mundësi për të fituar mandat parlamentar. Sondazhi parashikon se mbi nivelin 1% është edhe PDIU, ndërsa partitë e tjera, qoftë këto të vjetra si PR apo PBDNJ, ashtu dhe të rejat e krijuara si Bindja, Nisma Thurrje apo e kryesuar nga deputeti Murrizi rrotullohen në shifrat nga 0-1%.

E veçanta është se ndërsa partitë aleate të PD në listë nuk parashihet të sjellin ndonjë kontribut të vecabtë në vota, ndonëse kanë siguruar mandatin e kryetarëve në listën e PD, bjerrja që pëson e djathta në vota nga partitë e reja që do të garojnë të vetme, është ende e papërcaktuar po me progression në rritje. Kështu shumatura e rezultateve nuk duket aspak e mire për opozitën. LSI rrudhet ndjeshëm. Aleatët e tjerë bëhen të papërfillshëm në elektorat, ndërsa PD ndonëse ka arritur të marrë diçka nga votat që LSI ia rrëmbeu në zgjedhjet e shkuara, pëson një tjetër rrjedhje nga partitë e reja të ish drejtuesve demokratë.

Në këtë kuadër merr kuptim dhe një pikë e sondazhit që kërkon vlerësimin e punës së Lulzim Bashës si kryetar i PD. Në bazë të saj vetëm 20% e vlerësojnë pozitive punën e Bashës, jo thjesht në marrëdhënien me koalicionin, por dhe me besueshmërinë që krijon si lider. Në të kundërt të kësaj, 90% e të anketuarve nga baza e PD kërkojnë rikandidimin e Berishës në zgjedhje, çka shpreh një mungesë besimi tek lidershipi aktual. Sa më lart të ish pëlqyeshmëria ndaj bashës, aq më e ulët do të ish përqindja e atyre që do kërkonin me ngulm Berishën në zgjedhje.

E veçantë në këtë sondazh ishte dhe parashikimi që bëhet mbi qarkun Tiranë, si qarku më i rëndësishëm dhe që ka numrin më të madh të deputetëve, në 36. Sipas sondazhit, PS është sërish në avantazh të dukshëm me 49-53% të votave , e cila përkthehet deri në 19 deputetë, pra më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm. Nëse votimi do të bëhej nesër PD do të arrinte në kuotën 12-14 deputetëve, ndërsa LSI 1-3 mandate deputetësh. Partitë e tjera mbeten në garë për të arritur një mandat. Sipas sondazhit të realizuar nga Piepoli dhe Report Tv, PD mbetet ende në shifra të ulëta në 33-35%, ndërsa LSI zbret në 5-7% të votave në nivel qarku. Ndërkohë PS në Tiranë del 15 më lart se parashikimi I rezultatit të PS në rang kombëtar.

Ndërkohë, në sondazhin e Piepolit dhe Report Tv u prekën dhe tema të veçanta si çështja e menaxhimit të koronavirusit apo të dëmëve të tërmetit nga ana e qeverisë, çështje të politikës së jashtme dhe ndikimi i tyre në zgjedhje, të cilat në bazë të sondazhit nuk e ndryshojnë trendin e avantazhit të maxhorancës socialiste përkundrejt opozitës së bashkuar.