Nga Mero Baze
Ndërsa Shqipëria nisi procesin e vaksinimit, një valë e re kritikash i është drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, i cili deri tani ka qenë nën akuzë pse po vonon vaksinimin. Tani akuza është pse filloi vaksinimin. Shkak për këtë është bërë përdorimi i një kontigjenti prej rreth 1000 vaksinash, dhuratë nga një vend i Bashkimit Europian, ndërkohë që kontigjenti prej 500 mijë vaksinash nga kompania Pfizzer, është kontraktuar të mbërrijë më 24 janar në Tiranë.
Një mijë vaksinat e para, që shënuan dhe fillimin e procesit të vaksinimit, do t’i marrë kontigjenti më i rrezikuar i shëndetësisë, mjekët e spitaleve COVID, shefat e shërbimit shëndetësor në spitalet rajonale dhe më tej sipas një protokolli strikt administrativ. Kjo është dhe kategoria më e qartë për rolin e vaksinës në Shqipëri, që nuk janë prekur nga teori konspirative dhe që e dinë rëndësinë e saj.
Pra të gjithë ata që kanë qejf të dyshojnë, duhet të jenë të qetë, se ata që po e marrin vaksinën, dinë më shumë se ata që po “shqetësohen” për të. Nga ana tjetër, të gjithë ata që duan doemos emrin e vendit që i ka dhuruar, duhet të jenë më të qetë, se vendi dhurues nuk është si këta bamirësit tanë që kanë qejf të dalin në televizion kur dhurojnë. Thjesht i ka dhuruar.
Të gjitha arsyet fallco për të sulmuar fillimin e vaksinimit, në të vërtetë nuk kanë të bëjnë as me cilësinë e vaksinës Pfizzer, as me vendin që i ka dhuruar ato një mijë copë, dhe as me ndonjë rrezik që vjen prej tyre. E gjitha ka të bëjë me të mirën që vjen prej tyre dhe me faktin dëshpërues që procesi filloi. Kjo vjen nga fakti se gjithë opozita e kishte mbështetur suksesin e saj politik tek fakti që Shqipëria nuk do sigurojë dot vaksina deri në prill dhe ata do ta përdornin këtë për zgjedhje.
Kthehuni pas dy javë e lexoni gjithë parashikimet ogurzeza të opozitës për mos sigurimin e vaksinës, dhe do ta kuptoni pse ka kaq mllef dhe agresivitet ndaj fillimit të vaksinimit. Vendi i BE që ka dhuruar një mijë copë, është vetëm një pretekst për t’u dukur të dëshpëruar, pasi janë kuriozë të dinë kush ka ndihmuar Edi Ramën.
Dëshpërimi i madh dhe real është se 500 mijë vaksina janë në rrugë dhe deri në prill, vështirë se do arrijnë të bëhen, me kaq shumë opozitarë të dëshpëruar që ato më në fund janë këtu. Skeptikët ndaj fillimit të vaksinimit, janë thjesht një version i ri i konspiracionistëve. Ndryshimi është se konspiracionistët i besojnë dhe vetë ato që thonë. Këta nuk i besojnë, por janë të dëshpëruar nga e vërteta që vaksinat u siguruan dhe duan ta mbajnë dëshpërimin gjallë. Ndaj Sali Berisha tani ngjan më i egër kundër vaksinimit, se sa Alfred Cako kundër vaksinës. Kam frikë se dhe kur ta bëjë, do bërtasë që ja bënë me zor.