Thiago Silva e ka pranuar se nuk di ta shpjegojë çfarë po ndodh me Chelsean në ndeshjet e fundit, pas një disfate tjetër kundër Manchester City në Premierligë. Chelsea ka rënë në pozitën e tetë në renditjen e Premierligës pasi e pësoi humbjen e pestë të sezonit të dielën në mbrëmje, transmeton Gazeta Express.
City e mundi skuadrën e Frank Lampardit 3:1 në Stamford Bridge, falë golave nga Ilkay Gundogan, Phil Foden dhe Kevin de Bruyne në pjesën e parë, me Callum Hudson-Odoi që e shënoi golin ngushëllues për vendasit në çastet e fundit. Disfata ka mundur të ishte edhe më e thellë sikur djelmoshat e Pep Guardiolës t’i shfrytëzonin mundësitë e shumta në pjesën e dytë.
“Sot pjesa e parë ishte e dhimbshme sa i përket futbollit, sepse niveli i lojës së tyre tregon se ku duhet frymëzohemi ne”, tha ai. I pyetur se çfarë nuk shkon për Chelsean në javët e fundit, mbrojtësi brazilian tha: “Jo, nuk e kuptoj se çfarë nuk shkon. Sikur ta kuptoja, do ta kisha ofruar ndonjë këshillë, por është kështu siç është; është futboll; është Premierligë, njëri prej kampionateve më të vështira në botë”.