Trajneri i Evertonit në Premier League, Carlo Ancelotti, ka folur për ecurinë e skuadrave në kampionatin italian, teksa nuk i ka kursyer elozhet për punën e bërë nga Conte te Interi dhe Maldini te Milani.
Ai e sheh Interi pretendent për titull në Serie A. “Inter ka një shoqëri të fortë që ka investuar shumë dhe me një trajner si Conte në stol, janë gjithmonë pretendentë. Shoh një skuadër shumë të fortë në fushë, që pa Championsin do ta ketë edhe më të lehtë të synojë titullin. Nga ana tjetër Milani po bën mirë dhe kjo falë Maldinit, që me një buxhet minimal ka sjellë lojtarët e duhur te kuqezinjtë”, deklaroi Ancelotti.
Tekniku i “Toffees” ka folur edhe për emergjencën me të cilën po përballet Premier League, ku deri tani janë shtyrë tre ndeshje dhe nuk përjashtohet mundësia e një ndërprerjeje dy javore, duke qenë se të prekurit po shtohen nga dita në ditë.
“Është një moment i vështirë dhe të infektuarit nga Covid-19 po shtohen çdo ditë. Menduam se po bënim përparime dhe u hapën dyert përreth 2000 tifozë, por tani u kthyem sërish mbrapa. Ndoshta futbollistët kanë neglizhuar dhe janë treguar të pakujdesshëm gjatë festive të fundvitit, megjithatë shpresoj në normalizimin sa më shpejt të situatës”, tha trajneri Italian.