Sot Lulzim Basha njoftoi se Mark Marku do të jetë drejtuesi politik i qarkut të Lezhës dhe vërtet që çuditi jo vetëm koridorret e PD, por zbuloi edhe anën qesharake të procesit të vettingut në këtë parti dhe na tregoi se kush është Mark Marku i vërtetë dhe Luli që po e përdor. Janë tre çudi! E para, Mark Marku kishte kohë që ndiqte procesin e vettingut, pra bënte skualifkimin e dhjetra apo qindra emrave. Në fund pa u kaluar vetë në një filtër, hoqi kë mundi dhe si mundi dhe shkoi në Lezhë.

Pasi fshiu nga lista me dhjetra emra në qarkun e Lezhës shkoi i pari, të kandidojë. Kjo është një nga çuditë, ai që seleksionon, heq kundërshtarët dhe shkon vetë i pari. Së dyti, Mark Marku i cili njihet si personazh që vjen si paketë me një personazh tjetër publik i cili është Agron Gjekmarkaj. Ndoshta mund të quhen paketa “Gjekmarku”. Agron Gjekmarkaj dhe Mark Marku janë një dyshe e pandarë dhe prej muajsh, Marku luftonte që Agroni të ishte kandidat për deputet në qarkun e Lezhës dhe e mbështeti fort. Agroni nga ana e tij nuk firmoste formularët, por kërkonte ta shpallnin pa kaluar në procesin e vettingut.

Debate, përplasje, intriga dhe në fund Mark Marku ja futi Agron Gjekmarkajt. Pra, paketa “Gjermarku” u ça, do kandidonte Agroni, në fund kandidoi Marku. Gjithësesi në garë është paketa e Gjekmarkut. E treta lidhet me faktin se Mark Marku po kërkon të shitet si risi, por nuk është një risi. Është një riciklim dhe asgjë më shumë se sesa kaq. Ai ka qenë deputet në Lezhë, ka ikur, është përplasur me strukturat atje, ka humbur kontaktet dhe tashmë kërkon të shkojë dhe të fitojë në Lezhë.

Në fakt çuditë janë tre, ashtu siç i përmendëm: Së pari bëri vetting, hoqi të tjerët dhe shkoi kandidoi vetë. Punoi që të kandidonte Gjekmarkaj dhe sërish kandidoi vetë. Së treti e shpall veten kandidat të ri, por në fakt ka qenë deputët i zgjedhur më herët dhe thuajse i dështuar në qarkun e Lezhës. Ky është Mark Marku dhe tre çuditë e tij elektorale, të tjerat do i dëgjojmë në ditët në vijim.(cna)