Ylli i Juventusit, Dejan Kulusevski, i ka bërë thirrje Zlatan Ibrahimovicit të pranojë të rikthehet në Kombëtaren e Suedisë për Kampionatin Evropian 2020, i cili mbahet këtë verë. Ibrahimovic është duke kaluar nëpër formë mahnitëse për Milanin këtë vit dhe atij i është bërë thirrje të paraqitet në Euro 2020 në verë. Kulusevski, i cili do të debutoi në kampionat evropian për Suedinë, dëshiron ta bëjë këtë përkrah 39-vjeçarit. I pyetur për raportin që e ka me Ibrën, Kulusevski zbuloi se bisedon me të shpesh.

“Ne shkruajmë. Ai është idhulli im, sepse vështirë që dikush mund të bëjë çfarë ka bërë ai. Kur ai flet mirë për mua, më bën të punoj edhe më fort në stërvitje, sepse ndihem krenar”, tha Kulusevski. “Shpresoj shumë se ai do të rikthehet në Kombëtaren e Suedisë në Euro. Do të ishte mrekulli për mua dhe për të gjithë suedezët. Eja, Ibra!”, shtoi ai.